Shkarkohet shefi i policisë në Uvalde të Teksasit, tre muaj pas masakrës ku mbetën të vrarë 19 fëmijë!

vovalbania August 25, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Shkarkohet shefi i policisë në Uvalde të Teksasit, tre muaj pas masakrës ku mbetën të vrarë 19 fëmijë!

Shefi i policisë së qarkut të qytetit Uvalde të Teksasit, u shkarkua për mënyrën se si menaxhoi ngjarjen ku mbetën të vrarë 19 fëmijë dhe dy mësues tre muaj më parë. Bordi i Arsimit të distriktit votoi unanimisht për shkarkimin e Pete Arredondos, një vendim që u prit me duartrokitje nga familjarët e viktimave që ishin të pranishëm. Ai ishte përballur me kritika të ashpra pas vrasjes masive të 24 majit në shkollën fillore Robb të Uvaldes. Oficerët e armatosur pritën në korridorin e shkollës për më shumë se një orë pa ndërhyrë, ndërsa atentatori vazhdonte të vriste nxënësit me armë zjarri.

Arredondo është përpjekur të mbrojë veprimet e tij, duke i thënë një komisioni të Legjislaturës së Teksasit se nuk e konsideronte veten personin përgjegjës për të marrë vendime gjatë incidentit në vendngjarje. Prindërit e fëmijëve të vrarë dhe të plagosur nga të shtënat më vdekjeprurëse në shkollat amerikane në gati një dekadë, kishin kërkuar nga bordi i shkollës shkarkimin e Arredondos.

Ai u detyrua të jepte dorëheqjen nga vendi i tij në Këshillin Bashkiak të Uvaldes më 2 korrik. Tri javë më vonë, bordi ishte planifikuar të vendoste për fatin e Arredondo-s si shef i policisë së qarkut shkollor, por e shtyu takimin për shkak të “kërkesave të procesit” me kërkesë të avokatit të tij. Sipas Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit 19 oficerë pritën për më shumë se një orë në një korridor jashtë klasave fqinje, ku personi i armatosur ishte izoluar me viktimat e tij, përpara se një ekip taktik i udhëhequr nga Patrulla Kufitare e SHBA-së më në fund të hynte dhe të vriste të dyshuarin.

Arredondo, thanë ata, zgjodhi të mos dërgonte oficerë për t’u përballur menjëherë me të dyshuarin, duke besuar se kërcënimi i menjëhershëm ndaj studentëve ishte neutralizuar pas të shtënave fillestare me armë zjarri në klasat e shkollës. Arredondo, i cili mbikëqyrte një forcë policie prej gjashtë anëtarësh përpara se të pushohej nga puna, ka thënë se ai kurrë nuk e konsideronte veten komandant në incidentin në fjalë dhe se ai nuk e urdhëroi policinë të ndalonte sulmin ndaj pozicionit të të dyshuarit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45420 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE