Ilir Meta kallëzon Autoritetin e Dosjeve!

vovalbania September 01, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Ilir Meta kallëzon Autoritetin e Dosjeve!

Sot në Prokurori, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta depozitoi kallëzimin penal për Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në rrjetet sociale, Meta shprehet se “Autoriteti i  Dosjeve shpërdoroi detyrën pasi manipuloi e falsifikoi dokumente shtetërore”.

Sot kam kallëzuar penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i kanë bërë ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për manipulimet dhe falsifikimet flagrante në shërbim të shantazhit politik, për llogari të Edi Ramës.

Më 26 korrik 2022, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, sqaroi se në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi hasi në informacione e të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik.

Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit. Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të  gjithë anëtarët  e zgjedhur. Me vendimin nr. 321, datë 26.07.2022 të Autoritetit, të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë.  Për  identifikimin e materialeve të tilla dhe informimin mbi to, Autoriteti kërkon të kthehet vëmendja te ndryshimet e ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” i ndryshuar dhe problematikat e vështirësitë e përsëritura në zbatimin e disa dispozitave.

Konkretisht, verifikimi i zyrtarëve para emërimit në detyrë në zbatim të nenit 29, pika 4 të ligjit 45/2015 i ndryshuar, ku parashikohet: “Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të  emërohen ose ngrihen në detyrë në  institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, kur Autoriteti administron apo i janë vënë në dispozicion dokumenti autentik origjinal i certifikatës së pastërtisë së figurës.”  Pra, emrat e shqyrtuar më herët nga komisionet Mezini-Bezhani nuk verifikohen nga Autoriteti, me dispozitë ligjore.  Nga ana tjetër, neni 29 pika 4 të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar, zbatohet vetëm për kërkesat për informim të paraqitura nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, dhe jo për kërkesat individuale për informim.

Në këtë rast, Autoriteti nuk kushtëzohet nga normë urdhëruese dhe e jep dokumentacionin në administrim, siç rezulton nga verifikimi. Disa herë, (nëntor 2018, shkurt 2020, etj.), Autoriteti ka paraqitur propozime për ndërhyrje në ligj sa i takon dispozitës në fjalë, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, KQZ, Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhor edhe OSBE-së. Shqetësimi është paraqitur së fundmi nga Gentiana Sula, në seancën plenare të 21 korrikut 2022, gjatë raportimit të veprimtarisë për vitin 2021. Në këto rrethana, në rastet e shqyrtuara me përgjegjësi për subjektet A. D., Th. S., S. H., Xh. Sh., D. Ç., dhe I. M., Autoriteti e ka bazuar vendimmarrjen në kërkesën për emërime/ngritje në detyrë.Në rastet kur kërkesa për të njëjtët emra bëhet për verifikim figure, Autoriteti administron të gjithë dokumentacionin mbi personin në fjalë.

Pas publikimit të rastit nga Autoriteti i Dosjeve se I.M, rezulton spiun i ish-Sigurimit të Shtetit, grupi parlamentar i PS-së ka depozituar në Kuvend dy nismat ligjore për ndryshime të ligjit “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialistë të Shqipërisë” të ndryshuar, si dhe të ligjit “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar. Po ashtu dhe Grupi parlamentar i PD-së ka depozituar projektligjin që kërkon hapjen e dosjeve me lustracion.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE