Bie konsumi i energjisë elektrike në vend!

vovalbania September 03, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Bie konsumi i energjisë elektrike në vend!

Në tremujorin e dytë të këtij viti, pra në periudhën prill-qershor 2022, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët në vendin tonë, u ul me 1.9%, duke arritur vlerën 1.533 nga 1.563 GWh që ishte në tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Referuar të dhënave zyrtare të publikuara në raportin e INSTAT-it mbi bilancin e energjisë elektrike, ndikimin më të madh në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e dhanë ata jo familjarë, duke shënuar rënie të konsumit me 2.1%, përkundrejt rënies me 1.7% të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.

Gjithashtu, statistikat tregojnë se prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u ul me 38.1% e arriti vlerën 1.647 GWh, nga 2.660 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Në kushtet e një krize energjetike botërore, autoritetet në Shqipëri kanë apeluar që qytetarët të kursejnë energjinë elektrike. Edhe dje në samitin e radhës së Ballkanit të Hapur në Beograd, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç vunë në dukje se po afrohet dimër i vështirë e referuar krizës energjetike, bënë të ditur se vendet e Ballkanit të Hapur do të jenë pranë njëri-tjetrit që qytetarët ta vuajnë sa më pak.

Kryeministri shqiptar e presidenti serb i bënë thirrje Bashkimit Europian, të mos i braktisë si në kohën e pandemisë COVID-19. Rama tha se do t’i drejtohen me shkrim Brukselit, për t’i dhënë mbështetje financiare, që të përballojnë krizën energjetike. Po ashtu, në një intervistë dhënë Euronews Serbia, shefi i qeverisë tha se “askush nuk e di nëse në Shqipëri do të ketë kufizime të energjisë” e shpreson që jo.

Ndërkaq, në një tjetër zhvillim, sot Kosova njoftoi subvencionime për qytetarët që kursejnë energjinë elektrike. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Muratit, “përfiton kushdo që harxhon më pak, në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë”.

Nëse shtatorin e kaluar u konsumuan 1 mijë kilovatë orë dhe këtë aktualin 900, nënkupton 10% kursim. Për këtë, ka subvencionim 20% të faturës, pra dyfish i kursimit të bërë nga qytetarët.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE