Muhamet Rrumbullaku në krye të Policisë, Alibeaj: Riciklimi i figurave të vjetra nuk ndihmon rikthimin e normalitetit!
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se ndryshimet në kupolën e Policisë së Shtetit “janë thjesht makiazhi i radhës”, sipas tij, “për të mbuluar dështimin e plotë të kësaj qeverie në përballje me krimin e organizuar”.
Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj shprehet se “riciklimi i figurave të vjetra nuk ndihmon në rikthimin e normalitetit në vend”.
Kriminaliteti në shifra alarmante, lidhjet tashmë të faktuara të segmenteve të Policisë me bandat dhe implikimi i këtyre të fundit në procesin elektoral të 25 prillit është dëshmi e qartë se Edi Rama dhe qeveria e tij e kanë të pamundur të përballen e aq më tepër të luftojnë me krimin.
Lëvizjet e sotme në strukturën e Policisë si pjesë e riciklimit të figurave të vjetra, qartas nuk mund të ndihmojnë në rikthimin e normalitetit të sigurisë në vend. Që mbi të gjitha është pjesë e vullnetit të munguar politik të kryeministrit dhe e hallkave që pengojnë luftën ndaj krimit dhe rikthimit të besimit të qytetarëve tek qetësia dhe rendi publik.
Reagimi i kryetarit të grupit parlamentar të PD-së Alibeaj, erdhi pas emërimit nga qeveria sot të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili zëvendëson të shkarkuarin Gledis Nano.