Presidentja Osmani veçon hyrjen e Kosovës në NATO si qëllim strategjik të Kosovës!

vovalbania September 22, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Presidentja Osmani veçon hyrjen e Kosovës në NATO si qëllim strategjik të Kosovës!

Presidentja Vjosa Osmani, i tha shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg, se “anëtarësimi në NATO, është qëllim strategjik i Kosovës”.

Anëtarësimi në NATO, si dhe në Bashkimin Europian, kontribuon në rritjen e sigurisë e të stabilitetit në Ballkan. Por, hyrjes në Aleancë duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në Programin e NATO-s, Partneriteti për Paqe.

Osmani takoi Stoltenbergun në Nju Jork, në një takim ku e pranishme ishte edhe kryediplomatja e Prishtinës, Donika Gërvalla – Schwarz. Shtetet e Bashkuara mbështesin anëtarësimin e Kosovës në këtë program, por kërkohet dakordësi e të 30 vendeve anëtare të Aleancës. Ndërkohë, Greqia, Rumania, Sllovakia e Spanja janë mes shteteve që nuk e njohin Kosovën shtet.

Qeveria e Kosovës formoi një grup pune për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe, programin që synon krijimin e besimit mes shteteve anëtare të NATO-s e gjithashtu në Europë. NATO-ja është prezente në Kosovë përmes misionit KFOR. Një ditë më parë, NATO dërgoi trupa rezervë të misionit KFOR për stërvitje në Kosovë. Komandanti rajonal, koloneli Christopher Samulski, tha se “ato janë pjesë e planifikimeve normale”.

Aleanca shprehet e gatshme të rrisë numrin e trupave në Kosovë, nëse ka rritje të tensioneve në mesin e minoritetit serb, lidhur me vendimin e Qeverisë Kurti për regjistrimin e makinave me targa RKS – Republika e Kosovës.

Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar… nëse kemi rritje të tensioneve, por edhe mund të rrisim numrin e forcave rezervë… mund ta marrim këtë vendim brenda një kohe të shkurtër. Aktualisht, situata është e qetë, por e brishtë, ndaj NATO nuk e përjashton mundësinë e tensioneve të reja apo të dhunës, kur të skadojë afati për riregjistrimin e veturave, më 31 tetor.

Situata në veri u tensionua më 31 korrik, një ditë para se Qeveria e Kosovës të niste zbatimin e vendimit për dokumentet për hyrje/dalje dhe regjistrimin e targave të makinave në RKS. Serbët vendosën barrikada në rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare mes Kosovës e Serbisë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Për shkak të tensioneve e me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës e shtyu zbatimin e vendimit për një muaj dhe më pas barrikadat u hoqën. Ndërkohë, palët ranë dakord për çështjen e dokumenteve për hyrje/dalje, ndërsa vendimi për regjistrim të makinave hyri në fuqi më 1 shtator dhe do të zgjasë deri më 31 tetor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65142 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE