Norvegjia mbron me ushtri impiantet e naftës e gazit!

vovalbania October 03, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Norvegjia mbron me ushtri impiantet e naftës e gazit!

Ushtria norvegjeze njofton se ka dërguar ushtarë për të ndihmuar në ruajtjen e impianteve kryesore të përpunimit të naftës e të gazit. Kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të rritur nivelin e sigurisë mes dyshimeve se sabotimi shkaktoi rrjedhje në tubacionet e gazit Nord Stream. Katër rrjedhje, dy në zonën e Danimarkës dhe dy në atë të Suedisë u zbuluan javën e kaluar në dy tubacione të mëdha ruse, Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2.

Norvegjia, furnizuesi më i madh i gazit në Europë dhe gjithashtu një eksportues i madh i naftës, javën e kaluar vendosi flotën e saj, si edhe forcat ajrore për të patrulluar zonat e naftës në det të hapur. Po ashtu, njoftoi se për ta bërë këtë do të merrte ndihmë nga Britania e Madhe, Gjermania e Franca.

Me kërkesë të policisë në vendin nordik, Garda e Shtëpisë Norvegjeze, një forcë e mobilizimit të shpejtë, filloi sot të vendosë trupa në impiantet përgjegjëse për përpunimin dhe eksportimin e naftës dhe gazit. Megjithëse, qeveria norvegjeze bëri të ditur se nuk është në dijeni të ndonjë kërcënimi specifik ndaj infrastrukturës së naftës e të gazit, përsëri e pa të nevojshme të rrisë sigurinë, për të ulur shqetësimet e punonjësve atje.

Ndër objektet në tokë që u morën në mbrojtje policore dhe ushtarake këtë fillimjavë, janë terminalet e eksportit të gazit, Kollsnes e Nyhamna, uzina e gazit, Kaarstoe dhe rafineria e naftës, Mongstad. Deri tani nuk ka të dhëna për numrin e ushtarëve të armatosur në këto zona. NATO dhe Bashkimi Europian nuk kanë dyshime se “rrjedhjet janë akt sabotazhi”. Ato u zotuan që të marrin masa për të mbrojtur infrastrukturën kritike europiane.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë këshillon Bashkimin Europian të planifikojë kursime në përdorimin e gazit, për të shmangur zbrazjen e magazinave, si dhe problemet në zinxhirin e furnizimit në muajt e dimrit. Për të mbajtur rezervat në nivelet e duhura, kërkesa duhet të reduktohet me 9 deri në 13%, krahasuar me mesataren e pesë viteve të fundit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48550 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE