Tre amerikanë fitojnë Nobelin për Ekonominë!

vovalbania October 10, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tre amerikanë fitojnë Nobelin për Ekonominë!

Çmimin Nobel për Ekonominë e fitoi një grup prej tre ekonomistësh amerikanë, përfshirë ish-shefin e Rezervës Federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ben Bernanke. Të tre ekonomistët u vlerësuan për studimet e thelluara lidhur me krizat bankare e financiare. Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencës, tha se “Bernanke, Douglas Diamond dhe Philip Dybvig fituan Nobelin për hulumtimin e tyre, që përmirësoi ndjeshëm kuptimin e rolit të bankave në ekonomi, veçanërisht gjatë krizave financiare”.

“Gjetjet e laureatëve kanë përmirësuar aftësinë tonë për të shmangur krizat serioze dhe paketat e shtrenjta të shpëtimit”, – deklaroi Tore Ellingsen, kryetar i Komitetit për Çmimin për Shkencat Ekonomike. Bernanke punon në Institutin Bruking në Uashington, Diamond është profesor në Universitetin e Çikagos, ndërsa Dybvig, profesor në Universitetin e Uashingtonit në Misuri.

Çmimi për ekonominë nuk është një prej pesë vlerësimeve të para të ndara në vitin 1895, kur u krijua akordimi i Nobelit nga shpikësi i dinamitit, Alfred Nobel. Çmimi Nobel për Ekonomi ka nisur të jepet nga viti 1969. Tashmë, u përmbyll java e ndarjes së çmimeve Nobel që nisi më 3 tetor me fituesin për Mjekësinë dhe kulmoi të premten e kaluar me Nobelin për Paqen.

Komiteti norvegjez për Nobelin vendosi t’i japë Çmimin Nobel për Paqen 2022, mbrojtësit bjellorus të të drejtave të njeriut, Ales Bialiatski, organizatës ruse për të drejtat e njeriut Memorial dhe organizatës ukrainase për të drejtat e njeriut, Center for Civil Liberties. Prej shumë vitesh, ata mbështesin të drejtën për të kritikuar pushtetin dhe për të mbrojtur të drejtat themelore të qytetarëve.

Kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të dokumentuar krimet e luftës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe abuzimet e pushtetit. Së bashku tregojnë rëndësinë e shoqërisë civile për paqen dhe demokracinë. Komiteti norvegjez për Nobelin dëshiron të nderojë tre kampionë të jashtëzakonshëm të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe bashkëjetesës paqësore në vendet fqinje: Bjellorusi, Rusi e Ukrainë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48831 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE