Objektet pa leje në Brezovicë, vazhdojnë sekuestrimet!

vovalbania October 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Objektet pa leje në Brezovicë, vazhdojnë sekuestrimet!

Në Kosovë, Prokuroria e Ferizajt konfirmon se edhe sot po vazhdon sekuestrimi i përkohshëm i rreth 100 objekteve që dyshohet se janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme në Brezovicë. Aksioni nisi një ditë më parë. Prokurori i rastit të Brezovicës, Rasim Maloku i tha Radios Evropa e Lirë se këto objekte janë në pronësi të politikanëve, biznesmenëve e të tjerë qytetarëve. Ato gjenden në zonën e dytë të Brezovicës, në Parkun Kombëtar “Sharri”, zonë ku nuk lejohet ndërtimi. Në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt thuhej:

Raportet e pranuara lidhur me këtë rast nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë e nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, vërtetojnë se në këtë zonë janë të ndërtuara rreth 100 objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Prokurori Maloku bëri të ditur se në mesin e objekteve të sekuestruara janë 80 të ndërtuara plotësisht e të tjerat në ndërtim. Përveç vilave u sekuestrua edhe një hotel.

Rasti gjyqësor Brezovica nisi në dhjetor të vitit të kaluar. Deri tani janë arrestuar dhjetëra persona, mes tyre ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliç, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës. Zyrtar i lartë i partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, Nikolliç dyshohet për shpërdorim detyre. Prokuroria dyshon se në shkelje të ligjit, firmosi për leje ndërtimi në Brezovicë e përveçse për shpërdorim detyre, dyshohet edhe për korrupsion.

Autoritetet gjyqësore njoftuan se hetimet për rastin Brezovica do të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm, pasi pritet të dërgohen të tjera prova në gjykatë për disa të dyshuar. Brezovica cilësohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë e njihet për qendrën ku bëhet ski. Gjendet në Komunën e Shtërpcës e është pjesë e Parkut Kombëtar “Sharri”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49413 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE