FMN paralajmëron rreziqet në stabilitetin financiar nga bumi i ndërtimit e pasurive të paluajtshme!

vovalbania October 13, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
FMN paralajmëron rreziqet në stabilitetin financiar nga bumi i ndërtimit e pasurive të paluajtshme!

Në deklaratën e fundit për Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), këshilloi të tregohet kujdes për ndikimin që mund të ketë vrulli i ndërtimeve dhe zgjerimi i tregut të pasurive të paluajtshme në stabilitetin e sektorit financiar.

Ne bëjmë thirrje për monitorim nga afër dhe menaxhim të rreziqeve të mundshme nga rritja e lartë e kreditimit gjatë viteve të fundit, përfshirë huadhënien e rritur në monedhë të huaj. Në këtë kuadër, mirëpresim përpjekjet e BSH-së për të adresuar mungesën e konsiderueshme të të dhënave mbi tregun e pasurive të paluajtshme e ndërtimin, si dhe bëjmë thirrje për mbikëqyrje të shtuar të ndikimit të këtij sektori mbi stabilitetin financiar.

FMN u trembet dhe pasojave që mund të ketë një rënie e çmimeve të pasurive të paluajtshme. Ekonomia është gjithashtu e ndjeshme ndaj kushteve të pafavorshme të motit dhe ndryshimit të kahut të rritjes në çmimet e pasurive të paluajtshme. Vitet e fundit, ndërtimi, sidomos ai rezidencial po merr rol parësor në ekonomi, teksa sipërfaqet e lejeve janë shtuar ndjeshëm dhe tregu i pasurive të paluajtshme është zgjeruar, sidomos në kryeqytet.

Sipas INSTAT-it, në vitin 2021, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet ishte 1.6 milion metra katror, nivel rekord të paktën që nga viti 2010 kur raportohen të dhënat, nga të cilat gati 80% ishin për ndërtime rezidenciale. E njëjta tendencë vijoi dhe në gjysmën e parë të këtij viti. Po sipas INSTAT-it, vetëm në 6-mujorin e parë 2022, në kryeqytet u dhanë gati 1.2 milion m2 sipërfaqe leje ndërtimi ose sa 75% e sipërfaqes së dhënë për gjithë vitin 2022. Tirana mori 70% të gjithë sipërfaqeve të lejeve të dhëna në vend për periudhën përkatëse.

Ndonëse oferta në treg sa vjen e rritet, edhe çmimet kanë shënuar të njëjtën prirje, duke reflektuar shtrenjtimin e kostove të ndërtimit dhe qarkullimit të parasë informale.

Sipas Indeksit Fischer të Çmimeve të Banesave, i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit I 2022 u rrit me 28.4% në krahasim me 6-mujorin e kaluar dhe me 39% krahasuar me një vit më parë. Kjo është rritja më e lartë 6-mujore e këtij indeksi që prej vitit 2013, kur Banka e Shqipërisë nisi llogaritjen e tij. Në raport me periudhën bazë, indeksi i çmimeve të banesave është rritur me afërsisht 110%.

Në linjë me këto zhvillime, kredia e dhënë nga sistemi bankar për ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme shënoi zgjerim të dukshëm vitet e fundit. Këtë vit, kredia për sektorin e ndërtimit po shënon nivelet më të larta në të paktën gjashtë vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore, për 7-mujorin 2022, kredia e re për ndërtimin kishte vlerën e 22.7 miliardë lekëve ose 194 milion eurove.

Kredia e re për sektorin e ndërtimit është rritur me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera totale e portofolit të kredisë për ndërtimin në fund të muajit korrik arriti në 70.4 miliardë lekë, në rritje vjetore me pothuajse 30%./ Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48505 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE