Të ftuar nga KiE munguan në darkën në Strasburg, reagon kryeministri Rama!

vovalbania October 13, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Të ftuar nga KiE munguan në darkën në Strasburg, reagon kryeministri Rama!

Ndërsa konfirmoi se një pjesë e përfaqësuesve të Këshillit të Europës, mbrëmë refuzuan të marrin pjesë në darkën e organizuar nga Shqipëria në Strasburg, kryeministri Rama thekson se arsyet janë të mirëkuptueshme!

Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg, megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja. E mirëkuptueshme. S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve!

Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri.

Është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra.

Një ditë më parë, Shqipëria i kërkoi Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishqyrtojë rezolutën e mbështetur në raportin e të dërguarit Dick Marty, duke e cilësuar “të pabazuar dhe të paprovuar”. Aty shprehen pretendime se gjatë luftës së vitit 1999, ish-drejtues të UÇK-së janë përfshirë në trafikim organesh të qenieve njerëzore, të shtrirë edhe në Shqipëri.

Dje në fjalën e tij para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, kryeministri Edi Rama theksoi se “spastrimi etnik i Millosheviçit në Kosovë shkaktoi mijëra të vrarë e të zhdukur dhe qindra mijëra të shpërngulur”.

NATO dhe bashkësia ndërkombëtare ndërhynë dhe paqja u vendos. Por institucionet europiane humbën busullën e pranuan pretendime të paqena, nga kujtimet e ish prokurores Carla del Ponte, e deri tek mocione nga diplomatë rusë e serbë, që arritën të futnin në një raport të KiE-së për gjoja trafikim të organeve njerëzore, një lajm i rremë me akuza të turpshme.

Fjala e kryeministrit Rama bazohej e pasoi një Rezolutë që Kuvendi i Shqipërisë miratoi në korrik, ku thuhet se “raporti i hartuar nga i dërguari i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty përmban pretendime, të cilat mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte dhe për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

Kjo rezolutë e Tiranës i është dërguar zyrtarisht Këshillit të Europës dhe vendeve anëtare dhe Shqipëria kërkon ndryshimin e dokumentit të miratuar në Strasburg 11 vite më parë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48557 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE