Mario Draghi i dorëzon zilen Giorgia Melonit/Ish-kryeministri italian u përcoll me duartrokitje!

vovalbania October 23, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mario Draghi i dorëzon zilen Giorgia Melonit/Ish-kryeministri italian u përcoll me duartrokitje!

Në Pallatin Chigi të Romës, seli e qeverisë italiane dhe rezidencë zyrtare e numrit një të kabinetit qeveritar, sot Mario Draghi priti kryeministren e re të Italisë, Giorgia Meloni, në atë që njihet si Sala dei Galeoni. Fillimisht e pyeti si është, ndërsa me shpejtësinë që e karakterizon në përgjigje, Meloni u shpreh:

Mirë, mirë faleminderit!

Të dy shtrënguan duart dhe Draghi vijoi me një vlerësim për kryeministren, e cila sot ishte veshur me një kostum të zi: xhaketë e pantallona dhe për thyerje, një këmishë e bardhë, kombinuar me këpucë të sheshta.

Je shumë mirë!

Përsëri nuk munguan falenderimet nga ana e drejtueses së re të qeverisë më të djathtë e më euroskeptike të vendit fqinj që nga viti 1946. Mes tyre u zhvillua një takim për më shumë se një orë e që përfundoi me ceremoninë e ziles.

Kur në Itali lind një qeveri e re, nuk mungon riti simbolik që shënon kalimin e pushtetit nga kabineti i vjetër te ai pasues. Në Pallatin Chigi, Draghi i dorëzoi zilen Melonit dhe me rënien e saj, shefja e ekzekutivit i dha dritën jeshile të parës mbledhje të Këshillit të Ministrave.

Misioni i Draghit në krye të qeverisë italiane përfundoi. Pas fotos tradicionale e një tjetër shtrëngimi duarsh me pasardhësen, ish-kryeministri iu drejtua daljes së Pallatit Chigi ku në oborr u përcoll me duatrokitje nga punonjës të Këshillit të Ministrave.

Kryeministri Rama i uroi fat Melonit, ndërsa liderë në Europë shprehën gatishmërinë për të punuar me të për të mirën e BE-së e vendeve respektive, krahas Italisë. Mesazhi i urimit nuk mungoi as nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili pret bashkëpunimin e Melonit në mbështetjen e Ukrainës. Por, padyshim që ndër më të lumturit ishin emra si Marine Le Pen e Viktor Orban, për të cilët zgjedhja e saj “është një fitore e të djathtës europiane”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE