Presidentja Osmani: SHBA-BE nuk na kërkojnë të tërhiqemi nga njohja reciproke me Serbinë!

vovalbania October 23, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Presidentja Osmani: SHBA-BE nuk na kërkojnë të tërhiqemi nga njohja reciproke me Serbinë!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e quan “domosdoshmëri” kërkesën që njohja reciproke të jetë pjesë e një marrëveshjeje finale me Serbinë.

Tërheqjen e kësaj kërkese, Kosovës nuk ia kanë kërkuar as Shtetet e Bashkuara dhe as Bashkimi Europian.

Gjatë një konference për shtyp në Prishtinë, pas takimit me homologun e Maltës, George Vella, Osmani u pyet për deklaratat e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që “Kosova të mbështesë një marrëveshje me Serbinë, e cila nuk përfshin njohjen reciproke”.

Bëhet fjalë për “marrëveshje specifike”, referencë e një propozimi të Francës e Gjermanisë, për të cilin kanë raportuar mediat. Siç deklaruan zyrtarët në Serbi, ky propozim franko-gjerman, që thuhet se iu dorëzua liderëve në Prishtinë e Beograd, përcakton që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Beogradit në BE.

Tjetër gjë janë propozimet për marrëveshje specifike, të cilat diskutohen në Bruksel. Siç e dini, ka qenë çështja e energjisë, akoma vazhdojnë diskutimet për fatin e të zhdukurve me dhunë apo edhe për tema të tjera që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes. Dhe përpjekjet e partnerëve tanë janë që të gjitha këto çështje të shtyhen përpara në mënyrë të intensifikuar.

Megjithatë, nuk ka pasur kërkesë, qoftë nga SHBA-të, qoftë nga partnerët e tjerë brenda BE-së, që Kosova të heqë dorë nga kërkesa për njohje reciproke, sepse të gjithë e kuptojnë se ajo është domosdoshmëri që përmbyll një kapitull të dhimbshëm të asaj çfarë ka ndodhur në këto dekada në Ballkanin Perëndimor. Kanë qenë luftëra të tmerrshme, të iniciuara e të kryera nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë.

Edhe vetë presidenti i SHBA-ve, Joe Biden e sekretari i Shtetit, Antony Blinken, kanë kërkuar që një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë të ketë në qendër, njohjen reciproke.

Më herët gjatë kësaj jave, Escobar qëndroi në Kosovë e Serbi, për të inkurajuar palët të intensifikojnë procesin e dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe synon normalizimin e raporteve mes shteteve.

Zyrtari i lartë amerikan foli edhe për propozimin franko-gjerman, duke thënë se “SHBA-të e mbështesin”. Ai argumentoi se ky propozim “do të zhbllokonte Kosovën, si edhe Serbinë, në rrugën e integrimeve euroatlantike”.

Në Prishtinë qëndroi edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48801 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE