Takim Meloni-Macron, diskutime mbi sfidat e përbashkëta!

vovalbania October 24, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Takim Meloni-Macron, diskutime mbi sfidat e përbashkëta!

Për mbi një orë, presidenti francez, Emmanuel Macron u takua me kryeministren e re italiane, Giorgia Meloni, e cila pas betimit në Quirinale në fundjavë, dje mblodhi qeverinë për herë të parë. Në Twitter, shefi i Elizesë shkruan:

Si europianë, si vende fqinje, si popuj miq, me Italinë duhet të vazhdojmë punën që kemi filluar dhe për të pasur sukses së bashku, këtë duhet t’ua detyrojmë të rinjve e popujve tanë.

Edhe pse informal, gjatë takimit u diskutuan të gjitha çështjet kryesore europiane, përfshirë përballimin e çmimeve të rritura të energjisë.

Një takim i përzemërt dhe i frytshëm, që zgjati mbi një orë. U diskutua nevoja për të dhënë përgjigje të shpejta e të përbashkëta për energjinë e shtrenjtë, mbështetjen për Ukrainën, situatën e vështirë ekonomike dhe menaxhimin e flukseve emigratore.

Në një deklaratë nga Pallati Chigi në Romë, u theksua:

Emmanuel Macron dhe Giorgia Meloni ranë dakord për dëshirën për të vazhduar me një bashkëpunim për sfidat e mëdha të përbashkëta në nivel europian e në respekt të interesave të përbashkëta kombëtare.

“Ne do të gjykojmë nga aktet e qeverisë Meloni, në mënyrë konkrete dhe do të shohim se si do të reagojnë temë pas teme. Në takimin në Romë midis Emmanuel Macron dhe Giorgia Melonit, presidenti francez përsëriti se Parisi do të vazhdojë të jetë vigjilent e kërkues”, – thanë burime nga Elysee.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden e uroi kryeministren italiane dhe tha se “mirëpret punën me Melonin, në përpjekjet për të mbështetur Ukrainën në luftën me Rusinë”.

Italia është aleate jetike e NATO-s dhe partnere e ngushtë, ndërsa shtetet tona adresojnë sfidat e përbashkëta globale. Si lider i G7-ës, mirëpres përparimin e mbështetjes sonë për Ukrainën, që Rusia të mbahet përgjegjëse për agresionin e saj, në sigurimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike e të një rritjeje të qëndrueshme ekonomike.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u shpreh e gatshme dhe e lumtur të punojë me qeverinë e re italiane në mënyrë konstruktive, për t’iu përgjigjur sfidave që i presin. Edhe kreu i Këshillit Europian, Charles Michel i kërkoi kryeministres së re të punojnë për të mirën e BE-së e të Italisë.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48641 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE