Guvernatori Sejko: Inflacioni 8%, niveli më i lartë në 24 vite!

vovalbania October 27, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Guvernatori Sejko: Inflacioni 8%, niveli më i lartë në 24 vite!

Inflacioni në Shqipëri paraqitet i ulët e sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, “ndër shkaqet kryesore është çmimi i rregulluar i energjisë elektrike për familjet”. Gjatë fjalës në Konferencën e 16-të vjetore të institucionit që drejton, të organizuar në bashkëpunim me shkollën e Londrës për Shkenca Ekonomike dhe Politike (LSE), Sejko tha se pavarësisht kësaj, inflacioni shënoi rritje të shpejtë gjatë 2022-shit, duke arritur 8% në tremujorin e tretë, niveli më i lartë i regjistruar që prej vitit 1998.

Fatkeqësisht, agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë para nesh një realitet të ri. Tensioni gjeopolitik që pasoi konfliktin solli probleme masive dhe të papritura në zinxhirët botërorë të furnizimit me produkte sensitive, si ushqime, lëndë bazë e energji dhe rritje të shpejtë të pasigurisë në tregjet botërore.

Kjo goditje përkoi me rikuperimin e shpejtë të kërkesës agregate në periudhën postpandemike dhe u pasqyrua në rritjen e shpejtë të inflacionit botëror gjatë vitit 2022. Tashmë, pjesa më e madhe e vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim po përballen me nivele inflacioni të paprecedenta prej disa dekadash. As Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky realitet. Inflacioni shënoi rritje të shpejtë gjatë vitit 2022, duke arritur nivelin 8% në tremujorin e tretë, nivel ky më i larti i regjistruar që prej vitit 1998. Ndonëse inflacioni në Shqipëri paraqitet i ulët, si në kontekstin rajonal dhe në atë europian, duke pasqyruar ecurinë e fortë dhe të qëndrueshme të kursit të këmbimit dhe çmimet e rregulluara të energjisë elektrike për familjet, baza e tij ka ardhur në rritje e zgjerim.

Tashmë, pjesa më e madhe e artikujve të shportës shfaqin një normë inflacioni mbi objektivin tonë prej 3%. Po ashtu, artikujt e shportës me normë të lartë apo në rritje inflacioni nuk janë më vetëm mallra e shërbime me origjinë importi, por edhe produkte, të cilat pjesën më të madhe të vlerës së shtuar e gjenerojnë në vend.

Për Guvernatorin Sejko, identifikimi i reagimit të duhur ndaj kësaj goditjeje përbën një sfidë madhore për qeveritë, për bankat qendrore, për tregjet e ndërmjetësit financiarë, por edhe për bizneset dhe familjet.

Për qeveritë, tensioni ekonomik dhe social që inflacioni i lartë sjell mbi shtresat më të varfra të shoqërisë dhe segmentet më të brishta të ekonomisë, artikulohet në kërkesa të shtuara për mbështetje fiskale. Megjithatë, plotësimi i këtyre kërkesave bëhet problematik, përsa kohë financat publike janë në presionin e pasigurisë për të ardhmen e të kostove të rritura të financimit të borxhit.

Për bankat qendrore, trajtimi i goditjeve të ofertës me origjinë të huaj paraqet një dilemë jo të vogël, për faktin se këto goditje kanë ndikim të kahut të kundërt mbi aktivitetin ekonomik dhe nivelin e çmimeve. Në çdo rast, politika monetare mbetet e ndërgjegjshme për balancën delikate që ekziston midis respektimit të objektivit primar të kontrollit të inflacionit me respektimin e objektivit dytësor të zbutjes së luhatjeve ekonomike.

Për tregjet dhe ndërmjetësit financiarë, nivelet e larta të inflacionit tentojnë të shoqërohen me rritje të pasigurisë, duke sjellë nevojën e një rivlerësimi të ekspozimit ndaj rrezikut dhe rishikimi të strategjive të tyre të zhvillimit. Së fundi, për bizneset dhe familjet, inflacioni i lartë përbën një sfidë korrente për kostot e jetesës dhe të biznesit, por dhe një sfidë afatgjatë mbi planet e tyre financiare dhe të biznesit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51170 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE