Shembja e urës së varur në Indi, rëndohet bilanci i viktimave/Mbi 140 të vdekur!

vovalbania October 31, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Shembja e urës së varur në Indi, rëndohet bilanci i viktimave/Mbi 140 të vdekur!

Rëndohet bilanci i viktimave të urës së shembur një ditë më parë në Indinë perëndimore. Mediat indiane raportojnë për 141 njerëz të cilët humbën jetën dhe 177 u shpëtuan kur u shemb ura mbi lumë e që pas punimeve për ta mirëmbajtur ishte rihapur ditët e fundit. Në kohën e shembjes, deri në 500 persona ndodheshin në urën e varur 232 metra të gjatë, në Morbi, në shtetin perëndimor indian të Gujaratit.

Në një postim në Twitter, zyra e kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, njoftoi se “familjet e viktimave do të kompensohen”. Të gjitha arsyetimet e deritanishme çojnë te varianti i shembjes për shkak të mbipeshës në një strukturë që nuk duhet të mbingarkohet e rezulton shumë e vjetër.

Në faqen zyrtare të qeverisë së Gujaratit, vepra përshkruhet si “mrekulli inxhinierike, e ndërtuar në fillim të shekullit të kaluar”. Gjithashtu, ura shërbente si një atraksion turistik për turistët e interesuar, ndaj dhe iu nënshtrua restaurimit në fillim të këtij viti. Por me mbylljen e punimeve, të mërkurën e kaluar, më 19 tetor u rihap për publikun e këtu janë të shumta pikëpyetjet.

Sipas rrjetit televiziv, Ndtv, tejkalimi i numrit të vizitorëve u lejua edhe pse zyrtarisht, ende nuk ishte lëshuar një certifikatë sigurie. Pamjet e përhapura në rrjetet sociale treguan për një situatë mjaft të rëndë. Të shumtë ishin ata që përpiqeshin të kapeshin pas asaj që mbeti nga ura e rrëzuar, në përpjekje për të dalë nga uji i lumit Machchhu.

Nga mediat raportohet edhe se ekipet e kërkim-shpëtimit shkuan shumë shpejt në vendngjarje e vazhdojnë të punojnë pa asnjë ndërprerje, pasi janë në garë me kohën, referuar autoriteteve indiane. Krahas dëmshpërblimit për familjet e viktimave e të plagosurit, kryeministri Modi ka kërkuar që situata të monitorohet nga afër e në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa të prekurve t’iu garantohet e gjithë ndihma e nevojshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50950 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE