Arabia Saudite në alarm, Irani rrezikon ta sulmojë/Amerika: Gati të reagojmë!

vovalbania November 02, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Arabia Saudite në alarm, Irani rrezikon ta sulmojë/Amerika: Gati të reagojmë!

Arabia Saudite ndau informacione zbulimi me zyrtarët amerikanë që sugjerojnë se Irani mund të përgatitet për një sulm të afërt ndaj Mbretërisë. Shqetësimet e shtuara vijnë teksa administrata Biden po kritikon Teheranin për shtypjen e protestave, si dhe e dënon për dërgimin e qindra dronëve në mbështetje të Rusisë për luftën në Ukrainë.

Asnjë ambasadë apo konsullatë e SHBA-ve nuk ka lëshuar alarme apo udhëzime për amerikanët në Arabinë Saudite ose në Lindjen e Mesme, bazuar në informacionet e zbulimit. I pyetur për raportet e inteligjencës së sauditëve, Pat Ryder, sekretar i shtypit i Pentagonit, tha se zyrtarët ushtarakë amerikanë “janë të shqetësuar për situatën e kërcënimit në rajon”.

Ne jemi në kontakt të rregullt me partnerët tanë sauditë, sa i përket informacionit që ata mund të kenë në atë front. Por, ajo që kemi thënë më parë dhe e përsëris, është se ne rezervojmë të drejtën për t’u mbrojtur pavarësisht se ku shërbejnë forcat tona, qoftë në Irak apo gjetkë.

Gazeta Wall Street Journal raportoi për herë të parë për sauditët që dhanë informacione zbulimi për zyrtarët amerikanë. Në vitin 2019, SHBA-të dhe sauditët akuzuan Iranin se qëndron pas një sulmi të madh në lindje të Arabisë Saudite, i cili përgjysmoi prodhimin e mbretërisë së pasur me naftë e shkaktoi rritje të çmimeve të energjisë. Iranianët mohuan se ishin pas sulmit.

Sauditët janë goditur vazhdimisht në vitet e fundit nga dronë, raketa dhe mortaja të lëshuara nga rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani në Jemen, si hakmarrje për përfshirjen saudite në luftën civile që filloi atje në vitin 2014. Arabia Saudite formoi një koalicion për të luftuar Houthit në vitin 2015 e në arenën ndërkombëtare u kritikua për sulmet ajrore, që kanë vrarë shumë civilë.

Javët e fundit, administrata Biden ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve iranianë për trajtimin brutal të demonstruesve pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në shtator, ndërsa ishte në paraburgim nga forcat iraniane të sigurisë. Gjithashtu, administrata ka goditur Iranin me sanksione për furnizimin me dronë të Rusisë që po përdoren në luftën e saj në Ukrainë.

Sipas grupit Aktivistë të të Drejtave të Njeriut, të paktën 270 njerëz janë vrarë dhe 14 mijë u arrestuan gjatë protestave në Iran. Demonstratat kanë vazhduar, edhe pse Garda Revolucionare paraushtarake i ka paralajmëruar të rinjtë iranianë të ndalojnë. Marrëdhëniet e SHBA-ve me Arabinë Saudite gjithashtu janë tensionuar pasi aleanca e vendeve prodhuese të naftës, OPEC+, e udhëhequr nga Riadi, njoftoi në tetor se do të ulë prodhimin me 2 milion fuçi në ditë, duke filluar nga nëntori.

Shtëpia e Bardhë po rishikon marrëdhëniet me sauditët lidhur me këtë veprim. Administrata tha se ulja e prodhimit po ndihmon në mënyrë efektive një tjetër anëtare të OPEC+, Rusinë, të mbushë rezervat e saj ndërsa vazhdon luftën në Ukrainë, tani në muajin e saj të nëntë. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, përsëriti se administrata mbetet e shqetësuar se Irani mund t’i sigurojë Rusisë edhe raketa tokë-tokë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49682 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE