Serbët protestojnë, shtohen forcat e KFOR-it në kufirin mes Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut!

vovalbania November 06, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Serbët protestojnë, shtohen forcat e KFOR-it në kufirin mes Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut!

Njësi të shtuara të KFOR-it janë vendosur në urën e lumit Ibër që ndan Mitrovicën e Jugut me të Veriut.

Qytetarët serbë janë duke u grumbulluar në sheshin Car Lazar për protestën, ndërsa Mitrovica e Veriut është mbuluar me flamuj serb. Protesta po përcillet edhe me këngë nacionaliste.

Policia njofton se është në gatishmëri dhe ka përgatitur një plan operacional për të monitoruar këtë protestë.

Serbët duket se nuk kanë ndërmend të ndalin revoltën ndaj qeverisë së Albin Kurti për çështjen e targave.  Këtë të diel, kryetarët e komunave veriore të Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposavic dhe Zubin Potok, kanë dhënë dorëheqje para kuvendeve përkatëse.

I njëjti veprim u pasua edhe nga këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe.

Lista Serbe, e cila është  partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njoftoi një ditë më parë për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Të shtunën, policët serbë në veri të Kosovës zhveshën uniformat, si shenjë për të treguar mos bindjen e tyre.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për pezullimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Ndërkohë, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet. Ai thotë se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale.

Ndërsa Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka thënë të shtunën se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të ndërhyrë në rast se rrezikohet stabiliteti. Vetë albin kurti ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës ta ruajnë qetësinë,  duke thënë se ai nuk është kundër serbëve, por Beogradi është kundër tij.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE