Zgjedhjet në Amerikë, republikanët fitojnë më shumë vende në Dhomën e Përfaqësuesve!

vovalbania November 10, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zgjedhjet në Amerikë, republikanët fitojnë më shumë vende në Dhomën e Përfaqësuesve!

Republikanët po sigurojnë më shumë vende në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa kontrolli i Senatit varet nga disa gara të ngushta që sfiduan pritshmëritë për një fitore të madhe të republikanëve, të nxitura nga zhgënjimi mbi inflacionin dhe drejtimi i presidentit Joe Biden. Partia që fiton në Nevada dhe Arizona, ku garat janë shumë të ngushta, mund të sigurojë shumicën në Senat. Por ekziston një mundësi e madhe, që për herë të dytë në dy vite, kontrolli i Senatit të përcaktohet nga balotazhi në Xhorxhia mes Senatorit Raphael Warnock dhe kandidatit republikan Herschel Walker.

Kur flitet për Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët ruajtën shumë vende në shtetet si Virxhinia, Pensilvani, Kansas ndërsa ende nuk janë shpallur disa fitues në Nju Jork e Kaliforni. Nga ana tjetër, republikanët shënuan disa fitore të rëndësishme në përpjekjen e tyre për të siguruar 218 vendet e nevojshme për të rifituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Në një fitore veçanërisht simbolike, republikanët mundën shefin e fushatës demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Sean Patrick Maloney të Nju Jorkut.

Kontrolli i Kongresit do të jetë një faktor kyç në përcaktimin e së ardhmes së programit të Presidentit Biden dhe do të shërbejë si një referendum për administratën e tij, ndërsa vendi përballet me një shkallë të lartë inflacioni.

Në konferencën e parë për shtyp pas zgjedhjeve që përkuan me mesin e mandatit, presidenti Joe Biden tha se nuk ka plane për të bërë ndryshime në qëndrimin e tij.

Unë jam i përgatitur të punoj me kolegët republikanë. Populli amerikan e ka bërë të qartë se pret që republikanët të punojnë me mua gjithashtu.

Ai la mënjanë shqetësimet se republikanët do të hetojnë administratën dhe familjen e tij, njollë që mund ta shoqërojë gjatë gjithë presidencës.

Unë mendoj se populli amerikan do ta shohë për atë që është, pothuajse komedi.

Presidenti Biden bëri të ditur se kishte në plan të bisedonte me udhëheqësit republikanë në Kongres duke hapur mundësinë e arritjes së kompromisit me ta.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49462 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE