Grafite serbe me thirrje për rezistencë në veri të Kosovës/Mesazhet nga “Brigada Veri”!

vovalbania November 13, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Grafite serbe me thirrje për rezistencë në veri të Kosovës/Mesazhet nga “Brigada Veri”!

Në Mitrovicën e Veriut, sot u shfaq një mesazh i ri nga e ashtuquajtura “Brigada Veri”. Përmes tij bëhet thirrje për “rezistencë” nga 21 nëntori, datë kur Qeveria e Kosovës njoftoi se do të fillojë gjobitjen e shoferëve me targa të regjistruara në Serbi.

Nga 21 nëntori është detyrë e të gjithëve të rezistojnë në çdo hap! “Brigada Veri”.

Grafitet me ngjyra të kuqe, blu e të bardhë u panë pranë monumentit të Car Llazarit e në rrugën Krajl Petra në qendër të Mitrovicës së Veriut, komunë me shumicë serbe, në veri të Kosovës. Foto të këtyre grafiteve u publikuan edhe në Instagram, me shënimin: “Jo dorëzim, KM mbetet!”.

Nuk është hera e parë që në Mitrovicën e Veriut shihen grafite. Në gusht, u shfaq ai me mbishkrimin: “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu! Po ju presim, Brigada e Veriut”. Dallimi është se në mesazhe vendoset “Brigada Veri” dhe jo “Brigada e Veriut”, si në muajin gusht.

Nga 1 nëntori, Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit me tre faza për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Kryesisht bëhet fjalë për ato KM, akronim serb për Mitrovicë e Kosovës. Në shenjë pakënaqësie, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në katër komunat e veriut: Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan.

Por, pavarësisht largimeve, kryeministri Albin Kurti, deklaroi se “po vazhdon puna e institucioneve të Kosovës në veri”.

Ditët e fundit janë shtuar kërcënimet e përpjekjet e Serbisë dhe të presidentit Aleksander Vuçiç për të destabilizuar situatën në Kosovë. Kërcënimet ndaj qytetarëve po bëhen për “të mbjellë” frikë e panik.

Nga 5 nëntori, kur serbët nisën largimin nga institucionet e Kosovës, në veri nuk shihen policë në rrugë, përveç makinave të patrullimit. Besohet se në veri të Kosovës janë afro 10 mij makina me targa serbe, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50258 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE