G20 me fond 1.4 miliard dollarë për pandeminë/Indonezia: Nuk mjafton!

vovalbania November 13, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
G20 me fond 1.4 miliard dollarë për pandeminë/Indonezia: Nuk mjafton!

Ministrat e Shëndetësisë e Financave të G20-s nisën krijimin e një fondi prej 1.4 miliardë dollarësh, për t’u përballur me pandeminë e ardhshme globale, para se liderët e këtij grupi të mblidhen në samitin e Balit në Indonezi. Por, presidenti indonezian, Joko Widodo tha se “nuk është i mjaftueshëm”.

G20 pajtohet të krijojë një fond për të parandaluar e gjithashtu për t’u përgatitur lidhur me pandeminë. Donatorët e G20-ës e shtetet joanëtare të këtij grupi, si edhe organizatat filantropike kanë kontribuar në këtë fond. Por, nuk është i mjaftueshëm.

Fondi i krijuar nga 24 shtete po shihet si një prej rezultateve të hershme të samitit ku javën e ardhshme pritet të arrihet progres për krizën në Ukrainë. Në Bali, Vladimir Putin nuk do të jetë i pranishëm.

Presidenti i Indonezisë vuri në dukje se kërkohen 31 miliardë dollarë për t’u përballur me pandeminë e ardhshme globale.

Ne duhet të sigurojmë komunitetet në pandemi. Pandemia nuk duhet më të marrë jetë njerëzish e po ashtu të shkatërrojë ekonominë globale.

Shtetet e Bashkuara kontribuan me 450 milion dollarë në këtë fond apo pothuajse një të tretën e totalit të shumës. Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, u shpreh se “ky fond i përbashkët është shembull se çfarë mund të bëjë G20-ta, për t’u përballur me problemet globale”.

Jam krenare me atë që kemi arritur. Mendoj se hapat që kemi ndërmarrë këtë vit do të ndihmojnë në krijimin e një vizioni më të shëndetshëm e më të mirë për t’iu përgjigjur arkitekturës globale shëndetësore.

Në një fazë, Indonezia ishte epiqendra e pandemisë COVID-19, kur vala e variantit Delta të COVID-it goditi këtë shtet në mesin e vitit të kaluar. Donatorët kryesorë të fondit janë SHBA-të, Britania e Madhe, India, Kina, Franca, Kanadaja, Australia e Japonia. Duke folur në Indonezi, presidenti i Bankës Botërore, David Malpass deklaroi:

Ne po takohemi në një kohë të krizave të shumëfishta. Ky fond i ri është një mjet i rëndësishëm që do të mbështesë shtetet me të ardhura të mesme, në mënyrë që ato të përgatiten për krizat shëndetësore globale. Fondi për pandeminë mund ta bëjë botën më të sigurt.

Ministri i Financave të Indonezisë, Sri Mulyani Indrawati, informoi se “po ashtu, Arabia Saudite pritet të kontribuojë në këtë fond”. Por, nuk tregoi se sa para’ do të japë ky shtet për luftën ndaj pandemisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48699 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE