Situata e reshjeve, Peleshi: Bashkitë 10 milionë dollarë fonde, të përdoren për të prekurit

vovalbania November 22, 2022 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Situata e reshjeve, Peleshi: Bashkitë 10 milionë dollarë fonde, të përdoren për të prekurit

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka dhënë detaje në lidhje me situtaën më të fundit të krijuar nga reshjet e dy ditëve të fundit në vend. Sipas tij situata është përmirësuar për shkak edhe të rënies së intensitetit të reshjeve, por u bëri apel banorëve që të kenë kujdes, pasi pasdite situata meteorologjike do të përkeqësohet.

“Reshjet kanë vijuar me inetnsitet të ulët gjatë natës ka rënë ndjeshëm niveli i ujit. Janë 1685 hektarë të përmbytura, ndërsa janë evakuuar 26 familje me gjithsej 99 persona. Rrugët janë të kalueshme me përjashtim të disa segmenteve, Kukës-Krumë-Ura E Zapotit po punohet dhe shumë shpejt do të jenë të lira edhe disa akse. Niveli i lumenjve ka rënie dhe janë nën nivelin kritik. Po monitorohet situata pa ndërprerë në të gjitha bashkitë”.

Peleshi përmendi edhe fondin prej 10 milionë dollarësh të vënë në dispozicion për bashkitë në rast të emergjencave, për mbrojtjen e njerëzve dhe mjedisit, ndërsa theksoi bashkëpunimin e mirë me të gjitha to së fundi.

“Vërejmë rritje të përgjegjshmërisë dhe rritjes së bashkëpunimit me bashkitë. Përgjigjia ka qenë e shpejtë me të gjitha bashkitë pa përjashtim. Bashkitë kanë marrë para nga fondi 10 mln dollarë i buxhetit, në varësi të peshës specifike të secilës bashki, për marrjen e masave në mbrojtje të njerëzve dhe mjedisit”.

Situata si pasojë e reshjeve në vend:

Gjatë orëve të fundit kemi pasur një përmirësim të konsiderueshëm të situatës nga reshjet intensive që përfshinë vendin duke nisur nga data 20 Nëntor.

Menjëherë pas marrjes së të dhënave mbi parashikimin e motit nga IGJEUM dhe Shërbimi Meterologjik Ushtarak, Agjencia e Mbrojtjes Civile ka njoftuar pushtetin vendor, veçanërisht bashkitë më të rrezikuara nga reshjet e shiut që kanë qenë të një sasie të konsiderueshme.

Në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Mbrojtjes Civile thirra edhe mbledhjen e Komitetit ku të ftuar ishin edhe kryetarët e bashkive, Prefektët e zonave me risk, me të cilët rakorduam planin e masave për të përballuar pasojat.

Që prej ditës së parë janë angazhuar në terren:

1. 570 Forca të Armatosura

2. 495 Forca Zjarrfikëse

3. 400 Forca nga Policia Shtetit

4. 315 Forca Vullnetare

5. Ekipet e Shërbimit Mjekësor

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, reshjet e shiut kanë vazhduar me intensitet të ulët gjatë natës dhe të lokalizuara.

– Ka rënë ndjeshëm sipërfaqja e tokës e mbuluar nga uji në qarkun e Shkodrës. Sot janë 1685 hektarë tokë nën ujë dhe vazhdon tërheqja, nga 4346 ha që ishte dje në darkë

– Aktualisht janë vetëm 26 familje me 99 anëtarë të evakuuar, nga 52 familje dhe rreth 318 banorë që ishin dje. Të tjerët janë kthyer në banesat e tyre.

Në Bashkinë e Lezhës ka pasur gjithashtu përmirësim:

– Ka prani uji vetëm në 4 banesa nga 24 që ishin dje

– 1300 hektarë sipërfaqe e përmbytur

RRUGET

Përgjithësisht rrugët në rajonin e veriut të vendit janë të kalueshme, veç pak segmenteve.

Janë pastruar dhe ka qarkullim normal në segmentet që lidhin Tropojën, në aksin Hani i Hotit-Tamarë-Vermosh dhe Bogë- Theth.

Në akset Kukës – Krumë, Kukës – Ura Zapodit, në aksin Kukës – Bushtricë.

Po punohet dhe shumë shpejt do të jenë të lira edhe disa akse si:

Lezhë- Vau i Dejës, Qafa e Malit-Fierzë, Ura e Matit – Lezhë

Nuk ka pasur probleme sa i përket lëvizjes në akset e rrugëve në rajonin qendror dhe jugor të vendit.

Janë të lira akset rrugore nacionale dhe turistike

Njëkohësisht po bëhet një kontroll i urave pas situatës së krijuar nga shirat.

NIVELI I LUMENJVE

Niveli i lumenjve Drin (5.9 nga 7.5), Buna (7.6 nga 8.7) është aktualisht poshtë nivelit kritik.

Në Hidrovoret Droje, Shllinze, Tale, Ishull Shengjin, Gryke Zeze, Gocaj, Balldre nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.

Po monitorohet situata pa ndërprerje.

Në të gjithë pjesën tjetër të vendit, në Bashkitë Durrës, Kukës, Dibër situata paraqitet normale

BASHKITË

Të gjitha bashkitë kanë patur dhe kanë në dispozicion fondin e emergjencave prej 10 mln euro, i ndarë në proporcion me buxhetet e bashkive. Fond i cili është parashikuar edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Sipas VKM 414 ky buxhet mund të përdoret për:

1. Shërbime të ndërhyrjes së menjëhershme në shpëtimin e jetës së shtetasve, pronës private e publike.

2. Akordimin e ndihmës financiare për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga përmbytjet, në aspektin ndërtimor dhe orendi shtëpiake.

3. Marrjen e masave rehabilituese në objektet infrastrukturore që përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e njerëzve, pronat e tyre dhe mjedisin, të cilat ndikojnë në rikthimin e jetës normale për komunitetin e veprimtaritë e tij ekonomike.

4. Shpenzime të kryera për blerje karburanti dhe pjesë ndërrimi për automjete dhe makineri, të cilat përdoren për përballimin e situatave emergjente.

5. Mbulimin e shpenzimeve të tjera operative të kryera gjatë përballimit të ngjarjeve dhe situatave të emergjencës civile;

6. Blerje materialesh të ndryshme, që i shërbejnë veprimtarisë së strukturave të emergjencës civile në nivel vendor.

7. Mbajtjen në gatishmëri të infrastrukturës së ujitjes, të kullimit, të mbrojtjes nga përmbytja dhe digat e rezervuarëve në administrim të tyre

Ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre tri ditëve, Forcat e Armatosura, ato Zjarrfikëse, Forcat e Policisë së Shtetit, ekipet e shërbimit mjekësor do të vijojnë të jenë në gatishmëri për të qenë pranë qytetarëve për çdo nevojë.

Përsërisim thirrjen drejtuar të gjithë banorëve të zonave të rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre edhe në orët në vijim, pasi sipas parashikimit të motit pritet një tjetër sasi e konsiderueshme reshjesh. Ju lutemi në çdo rast nevoje njoftoni pa vonesë autoritetet vendore.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49746 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE