Guvernatori Sejko: Rritja e interesave nuk do ta çojë ekonominë në recesion!

vovalbania December 05, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Guvernatori Sejko: Rritja e interesave nuk do ta çojë ekonominë në recesion!

Rritja e shpejtë e normave të interesit nuk do ta çojë ekonominë shqiptare në recesion. Sot në hapje të Workshop-it XVI të Kërkimeve Ekonomike në Europën Juglindore, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se “e vetmja përgjigje ndaj inflacionit të lartë që mund të japë banka qendrore është të ndjekë një politikë të rritjes së normës bazë të interesit, duke forcuar angazhimin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”. Ky kurs veprimi do të krijojë kushtet e nevojshme monetare për të kontrolluar inflacionin dhe pritjet për të, por theksoi se “pavarësisht kushteve më të shtrënguara monetare, ekonomia do të vazhdojë të rritet”.

Projeksionet tona, të cilat përfitojnë nga të njëjtat modele dhe analiza të kërkimit, sugjerojnë se raundi aktual i rritjeve të normës bazë të interesit nuk do të çojë ekonominë në recesion. Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm. Në këtë drejtim, rritja aktuale e normës bazë të interesit, e cila ka për qëllim të ruajë stabilitetin e çmimeve dhe të ankorojë pritjet për inflacionin, njëkohësisht është një masë për të mbrojtur jo vetëm ekonominë, por edhe sektorin privat e individët nga efektet negative të tij.

Kjo është veçanërisht e vërtetë dhe e rëndësishme për shtresat e popullsisë me të ardhura të ulëta, të cilat janë goditur më shumë nga efektet negative të inflacionit të lartë e të qëndrueshëm. Megjithatë, publiku i gjerë duhet të kuptojë se parashikimi për të ardhmen është objekt i një pasigurie të lartë. Mekanizmat e amplifikimit mund të vijnë nga kanale të shumëfishta, për shkak të ndërveprimeve të ngushta brenda sistemit financiar global.

Mbiçmimi i monedhës sonë ndaj asaj europiane ka ndihmuar në përpjekjet tona për të kontrolluar e përmbajtur inflacionin. Gjatë vitit 2022, leku u mbiçmua mesatarisht me 2.5% ndaj euros, falë të ardhurave të konsiderueshme të gjeneruara nga turizmi, IHD-të e larta dhe primet e përmbajtura të rrezikut.

Konvergjenca e ciklit të politikës sonë monetare me atë të Eurozonës e forcoi më tej këtë mbiçmim. Paralelisht, çmimi i rregulluar i energjisë për familjet shqiptare ka ndihmuar në përthithjen e presioneve të huaja.

Guvernatori nënvizoi se “presionet e huaja të çmimeve, të mbështetura nga kërkesa e brendshme e qëndrueshme, tashmë po ushqejnë inflacionin e mallrave e të shërbimeve të prodhuara në vend, po rrisin kostot e prodhimit e më e rëndësishmja, pritjet për inflacionin”. Sipas Sejkos, “kjo është e dukshme në tregun e punës, në normën e shfrytëzimit të kapaciteteve dhe në tregjet e kapitalit, të cilat duken se i kanë inkorporuar tashmë këto pritje në vendimmarrjen e tyre”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48748 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE