Dita e Rinisë, mesazhet e politikës e Shteteve të Bashkuara në 32-vjetorin e protestave të dhjetorit!

vovalbania December 08, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Dita e Rinisë, mesazhet e politikës e Shteteve të Bashkuara në 32-vjetorin e protestave të dhjetorit!

Sot shënohet Dita Kombëtare e Rinisë. Me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, prej 2009-ës, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të studentëve të dhjetorit 1990 dhe rinisë shqiptare. Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, u bënë nismëtarë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist.

Mesazhi i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj:

Idealet e studentëve të dhjetorit 1990 duhet të na frymëzojnë gjithnjë për të punuar me përgjegjësi, me seriozitet dhe përkushtim, në mënyrë që të vazhdojmë pa ndalur rrugën tonë të integrimit euroatlantik. 8 dhjetori është ëndrra e një brezi shprehur në thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, por mbetet edhe aspirata e një kombi për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Kryeministri Rama uroi me vargjet e Migjenit:

“Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit te përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na – se hyjt ta kanë zili
e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote”

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta:

Gëzuar 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë! 32 vite më parë Lëvizja Studentore me në krye Azem Hajdarin vrau frikën dhe përmbysi mitin e diktaturës më brutale në kontinent.

8 Dhjetori e futi Shqipërinë në rrugën e Lirisë dhe të Demokracisë! Sot kur pluralizmi politik, liria dhe demokracia janë nën agresionin e një regjimi të dhunshëm kleptokratik është koha për një angazhim historik të të rinjve dhe të rejave në mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë.

Kjo është rruga për të ndaluar shpopullimin dhe garantuar një Shqipëri që u përket të rinjve. Gëzuar 8 Dhjetorin!

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë:

32 vite më parë, studentët dhe të rinjtë shqiptarë protestuan kundër njërit prej regjimeve komuniste më mizore të Europës, duke nisur rënien e tij dhe duke u bërë kështu protagonistë të një momenti të rëndësishëm në historinë shqiptare.

Më 8 Dhjetor, ne nderojmë guximin e atyre studentëve që kërkuan ndryshime politike dhe demokraci për vendin e tyre.

Të rinjtë sot vazhdojnë të formësojnë të ardhmen e vendit dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me popullin shqiptar, ndërsa ju hidhni hapin tjetër të rrugëtimit tuaj demokratik drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE