2.700 hektarë tokë nën ujë, kryebashkiaku i Shkodrës kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore!
Kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga ana e qeverisë.
Situata më përmbytjet në territor ka ardhur duke u përkeqësuar, pasi nën ujë ndodhen mbi 2.700 hektarë tokë si dhe 155 banesa të rrethuara. Ai pa afër gjendjen në fshatin Obot, atje ku banorët ndodhen të izoluar dhe komunikimin e kryejnë vetëm më mjetet e larta të ushtrisë dhe më pas u ndal edhe tek segmenti tjetër i bllokuar Darragjat – Shirq në njësinë administrative të Dajçit.
Gjatë komunikimit me banorët dhe drejtuesit e njësive administrative, Spahia kërkoi vëmendje maksimale, pasi nuk duhet neglizhuar asnjë situatë, aq më tepër në orët e mbrëmjes ku ndërhyrja në terren është më e vështirë:
“Po përballemi me një situatë të vështirë në zonën e nënShkodrës ku harta e përmbytjes është zgjeruar. Me banorët dhe drejtuesit vendor të njësive administrative Ana e Malit dhe Dajç, pashë nga afër gjendjen e krijuar në territor.
Rritja e nivelit të ujit po vjen jo vetëm nga reshjet por edhe nga shkarkimet e hidrocentraleve, që për fat të keq po i kthejnë këto zona ndër më produktivet, në të pabanueshme.
Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk duhet mbajtur peng nga qeveria, pasi kemi afro 2800 Ha të përmbytura dhe mbi 150 shtëpi të rrethuara nga uji, pa llogaritur dëmet në bujqësi e blegtori.
Kjo është përmbytja e dytë në më pak se 1 muaj dhe fatura e rëndë financiare e saj nuk ka pse të paguhet nga banorët e Shkodrës, por shteti duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë”.
Vetë banorët u shprehen se kjo situatë vjen jo vetëm nga reshjet por edhe shkarkimet e HEC-eve.
Banorët
Gjatë orëve të pasdrekës, bashkia Shkodër ka kërkuar nga emergjencat civile 4 mjete + 3 varka të shoqëruara me forca ushtarake, nga të cilat 2 mjete+2 varka në Njësinë Administrative Ana e Malit, Ura e Sagjicës; një mjet dhe një varkë tek Njesia Administrative Dajç, si dhe një mjet në Bahçallëk.