7 ditë barrikada serbe në veri të Kosovës/Synohet prezantimi i gjendjes sa më të zymtë!

vovalbania December 16, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
7 ditë barrikada serbe në veri të Kosovës/Synohet prezantimi i gjendjes sa më të zymtë!

Për të shtatën ditë radhazi, barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë aty, ndërsa mbeten të bllokuara rrugët në drejtim të kufirit me Serbinë, për në pikëkalimet e Jarinjës e Bërnjakut. Sot atyre iu shtua edhe një tjetër e ngritur po nga serbët, në afërsi të fshatit Çabër në drejtim të Zubin Potokut, ku shihen dy kamionë. Me përjashtim të ushqimoreve dhe farmacive, dyqanet e tjera janë thuajse të mbyllura në veri të Kosovës. Në shkolla e fakultete mësimi u pezullua.

Me urdhër të shtabit të krizës të formuar ditë më parë e që udhëhiqet nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, pritet që kjo situatë të zgjasë të paktën deri më 18 dhjetor. Qëllimi i serbëve është që para botës, të paraqitet “një jetë e paralizuar” dhe gjendje sa më e zymtë në atë pjesë të Kosovës.

Prishtina zyrtare bën këtë përshkrim:

Situata e përgjithshme e sigurisë në veri është delikate. Qytetarët serbë nuk po lejohen të lëvizin lirshëm nga bandat kriminale që po qëndrojnë në barrikada.

Një natë më parë, Policia e Kosovës arrestoi një ish-polic serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës vazhdojnë patrullimin në zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor siç thuhet nga Prishtina, “nga grupe kriminale serbe”, në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiç nga autoritetet e rendit në Kosovë. Dyshohet se ai organizoi një sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla vuri në dukje se “Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim”.

Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasadat e SHBA-ve në Prishtinë e në Beograd, duke theksuar se “arrestimi i Pantiçit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve”.

Pjesëtarë të maskuar nga grupet kriminale serbe kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX. Për pasojë, një polic i Kosovës u lëndua, ndërsa mori trajtim mjekësor. Serbia i kërkoi KFOR-it, që në veri të dërgojë forca serbe të sigurisë, Prishtina refuzon.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE