Moti me shira, 570 ha tokë e përmbytur në Lezhë/Problematika në disa zona!

vovalbania December 17, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Moti me shira, 570 ha tokë e përmbytur në Lezhë/Problematika në disa zona!

Krahas Shkodrës, edhe Lezha vijon të mbetet qarku më i goditur nga pasojat e motit të keq, me shi. 570 hektarë tokë janë nën ujë dhe referuar informacioneve në terren, sipas Emergjencave Civile, pati probleme në Milot, në Rrugën e Kombit, pasi ujërat vërshuan pranë dy banesave.

Reshjet e dendura të shiut sot përfshinë zonat e Kurbinit e Krujës, duke bërë që të bllokohet nënkalimi në Fushë-Mamurras, pjesë e autostradës Milot-Thumanë. Një pjesë e automjeteve të tonazhit të ulët po zgjedhin rrugë alternative, ndërsa disa makina janë bllokuar nga prezenca e ujit. Në Fushë-Mamurras, nënkalimi mbetet problematik nga bllokimi i zgarave dhe depërtimi i ujit.

Lumi Mat ka shtim të prurjeve por jo deri në pikën e rrezikut. Në disa zona të Bashkisë Mirditë pati ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike. Nuk raportohen problematika nga shkarkimet në hidrocentralet që janë në lumenjtë Mat e Fan. Në Mat e në lumin Gjadër ka rritje kuotash, por pa krijuar probleme deri tani. Të gjithë hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë.

Ndërkohë në Shkodër, referuar të dhënave zyrtare, janë 3 mijë e 20 hektarë të përmbytura, 250 më shumë krahasuar me një ditë më parë. Prani uji ka në 155 banesa, oborre e stalla. Kryebashkiaku Bardh Spahia kërkoi të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore.

Në Njësinë Administrative Ana Malit në Shkodër e ku përfshihet edhe Oboti, rruga e të cilit kalohet vetëm me mjete të ushtrisë, është përmbytur një sipërfaqe prej 1 mijë e 350 hektarësh. Ndërkohë, në njësinë Dajç, rruga Darragjat-Shirq është e pakalueshme ne vendin e quajtur Urrelat e ku uji arrin në lartësinë 1.6 m. Sipërfaqja e përmbytur është 800 ha e në 20 banesa ka prani të ujërave.

Në Shkodër, pas Anës së Malit e Dajçit, edhe Bërdica e Velipoja kanë sipërfaqe të konsiderueshme të përmbytura, me respektivisht 450 e 400 hektarë. Ka gërryerje të lumit Kir në afërsi të fshatit Hot i Ri në njësinë Rrethinat ku janë 20 ha tokë e përmbytur e ujërat evidentohen në 5 banesa.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE