Ekspertët: Bordi i Transparencës po vepron si kartel, të shkrihet!

vovalbania December 28, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ekspertët: Bordi i Transparencës po vepron si kartel, të shkrihet!

Prej kohësh, Bordi i Transparencës fikson çmimet e karburanteve, në kurriz të konsumatorëve shqiptarë. Ndërkohë, pak ditë më parë, Autoriteti i Konkurrencës ndëshkoi me një gjobë prej 10 milion lekësh të reja katër kompani të importit të miellit. Kjo pasi prej gati një viti, të gjitha së bashku, si një kartel, fiksonin çmimin e produktit në treg.

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko:

Ne sot kemi një ligj që lufton kartelet. Pra, marrëveshjet mes operatorëve të një fushe të caktuar për të fiksuar çmimin, janë të ndaluara me ligj. Por çfarë po ndodh tek ne aktualisht?

Në një vend, ku është e ndaluar me ligj marrëveshja kartel, ne kemi një Bord. Ky bord bie dakord dhe fikson një çmim të lartë, p.sh. në rastin e naftës është fiksuar prej shumë ditësh çmimi 199 lekë për litër. Duke u fiksuar ky çmim, gjithë operatorët, pavarësisht se dikush mund të ketë mundësi që edhe ta ulë atë, por duke qenë se të gjithë e kanë çmimin 199 lekë, atëherë të gjithë operatorët e mbajnë çmimin 199 lekë dhe në këtë mënyrë konsumatori dëmtohet, për shkak se nuk përfiton nga gara, që do të kishte në një treg me konkurrencë të pastër.

Pra, sot bordi shërben si një marrëveshje kartel, një gjë kjo totalisht e paligjshme. Katër kompanitë e miellit për këtë u penalizuan, pasi kishin marrëveshje kartel me njëra-tjetrën, bashkërendonin veprimtaritë e tyre në kurriz të konsumatorëve.

Por, pse u ngrit bordi?

Për të mos ulur taksat, qeveria jonë vendosi që t’u mbyllte gojën qytetarëve duke iu thënë: Ja, ngrita këtë bordin! Por, kjo nuk është fare ajo që kërkuan qytetarët. Bordi u ngrit si një karamele për të gënjyer njerëzit, e ndërkohë sot që flasim, po na bën më shumë dëm.
Normalisht, Bordi do të duhej të ishte shkrirë. Kush janë interesat që e mbajnë dhe e bëjnë të funksionojë ende ky bord?

Natyrisht që dihen, sepse nëpërmjet bordit mbahet një çmim i fiksuar i lartë dhe çmimi i fiksuar i lartë bën që qytetarët të paguajnë më shumë e fitimet pastaj (nuk) dihet ku shkojnë, kush i ndan dhe kush i merr.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE