Reshje dëbore, situatë problematike në Bogë-Theth e Qafë Thore!

vovalbania January 17, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Reshje dëbore, situatë problematike në Bogë-Theth e Qafë Thore!

Nga mbrëmja e djeshme, në zonat malore në veri dhe juglindje të vendit bie dëborë dhe reshjet e dendura po sjellin vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) informon se më problematike paraqitet situata në akset rrugore Bogë-Theth e Qafë Thore, në veri të territorit. Sipas ARRSH-së, kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të bërë pastrimin e akseve, shpërndarjen e kripës dhe për të mbajtur qarkullimin në normalitet.

Njëkohësisht ARRSH, apelon që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të makinës në kohë me reshje.

Pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore!

Ndërsa vendi është mbërthyer nga dara e motit të keq, me vazhdimin e shirave, Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron situatë problematike, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër e Lezhë. Aty mund të ketë vërshime të lumenjve të vegjël malorë e rrëshqitje të dherave. Nuk përjashtohet që në zonat urbane të këtyre katër qarqeve, të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Parashikimet janë që gjatë ditës, reshjet të kenë intensitet të ulët, por në mbrëmje do të intensifikohen. Po ashtu, pritet një rritje e prurjeve të lumenjve kryesorë, veçanërisht Drinit e Bunës, si edhe në liqenin e Shkodrës. Bashkive në zonat e rrezikuara, Ministria e Mbrojtjes iu kërkon marrjen e masave në rast përkeqësimi të situatës.

Në zonën e Alpeve parashikohen reshje shumë të dendura dëbore në formën e stuhive, ndërsa në zonat malore në lartësitë 800-900 metra, reshje dëbore me intensitet të ulët. Me përmbytje, vendi ynë u përball edhe muajin e kaluar, me Shkodrën dhe Lezhën që u veçuan si dy qarqet më problematike për shkak të pasojave.

Sa i përket parashikimit të motit për sot në territorin shqiptar, kushtet atmosferike janë të paqëndrueshme. Në veriperëndim ka vranësira të dendura, të pasuara nga reshje shiu dhe stuhi. Në verilindje ka reshje bore. Temperaturat kanë pësuar rritje të lehtë e luhaten në vlerat nga 2-17 gradë celcius.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE