Devijimi i hetimeve për Ahmetajn/ Pas 2 muajsh, ende nuk është thirrur nga SPAK për biletat e paguara nga Zoto!

vovalbania January 23, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Devijimi i hetimeve për Ahmetajn/ Pas 2 muajsh, ende nuk është thirrur nga SPAK për biletat e paguara nga Zoto!

Kanë kaluar rreth dy muaj që nga denoncimi e deri te vendimi i prokurorit të posaçëm, Alfred Shehu, i cili refuzoi nisjen e hetimeve ndaj dy kolegëve të tij të SPAK-ut, Klodian Braho e Eneid Nakuçi. Kjo nën dyshimet se kanë fshehur provat që tregojnë pagesat e Klodian Zotos për Arben Ahmetajn.

Duke cituar aktet procedurale të dy kolegëve të tij, prokurori Shehu thotë se “dosja është ende nën hetim dhe nënkupton se Arben Ahmetaj mund të përfshihej në këtë dosje”.

Me të njëjtin argument u mbrojtën edhe dy prokurorët e dosjes, Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi, pasi gazetari Adriatik Doçi dorëzoi kallëzimin ndaj tyre për shpërdorim detyre e fshehje provash që implikonin Arben Ahmetajn. Duke cituar vendim-marrje procedurale, si ndarja e dosjes në katër akte, dy prokurorët publikisht nënkuptonin se Ahmetaj ishte nën hetim.

Por, më shumë se sa fakt, citimi i ndarjes së dosjes në katër akte rezulton një alibi e ngritur prej tyre. Fakt është që në asnjërin prej akteve nuk është marrë nën hetim as Arben Ahmetaj si individ, por as Ministria e Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, që drejtonte në kohën kur është firmosur për inceneratorin e Elbasanit.

Dyshimet se ndarja në akte e dosjes është përdorur nga dy prokurorët Braho e Nakuçi për të fshehur provat që implikojnë Arben Ahmetajn, përforcohen nga fakti që në kompjuterin e sekuestruar të Klodian Zotos, ata kanë gjetur pagesat që ky i fundit ka bërë për akomodimin në hotele me pesë yje të Etleva Kondit, ish-drejtoreshë në Ministrinë e Energjetikës dhe anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për inceneratorët.

Në të njëjtat pajisje të sekuestruara prej tyre ndodheshin edhe faturat që Klodian Zoto ka paguar për të njëjtat qëllime për Arben Ahmetajn. Në këtë rast, logjikisht kemi të bëjmë me prova me vlerë të njëjtë për hetimin.

Prokurorët Braho e Nakuçi përfshinë në dosje dokumentet e Etleva Kondit, por jo ato të Arben Ahmetajt. Etleva Kondi sot është marrë nën akuzë nga SPAK, ndërsa Arben Ahmetaj jo vetëm që s’është i akuzuar, por as është thirrur për t’u marrë të paktën në pyetje nga dy prokurorët.

Hetimi për devijim të provave, tashmë ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme, ku ky institucion pritet të shqyrtojë nëse dy prokurorët Braho dhe Nakuçi kanë fshehur faktet komprometuese ndaj Ahmetajt. Ndërkohë edhe pse kanë kaluar dy muaj nga denoncimi, çuditërisht Arben Ahmetaj ende nuk është thirrur për tu marrë në pyetje nga prokurorët e SPAK-ut./Top Channel

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48505 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE