Rrëshqitje dheu në Këlcyrë, 24 banorë të pastrehë nga çarja e banesave!

vovalbania January 23, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rrëshqitje dheu në Këlcyrë, 24 banorë të pastrehë nga çarja e banesave!

24 banorë të pesë familjeve në fshatin Katundisht të Këlcyrës u detyruan të largohen nga banesat e tyre duke u strehuar përkohësisht tek bashkëfshatarët. Kjo pasi lagjja Kalemaj në këtë fshat është përfshirë nga një rrëshqitje masive.

Për pasojë shtëpitë kanë pësuar çarje e dëmtime serioze strukturore ndërsa janë duke u fundosur në baltë. Banesat që gjenden në shtratin e rrëshqitjes po zaptohen me ritëm të lartë nga balta dhe e gjithë lagjja është e pabanueshme për momentin.

Banorët thonë se kanë humbur pasurinë e një jete dhe se nuk kanë ku të shkojnë. Disa hektarë tokë në përdorim të fshatit kanë dalë jashtë funksionit si dhe është krijuar një emergjencë për bagëtitë që janë i vetmi burim të ardhurash për fshatin.

Bashkia e Këlcyrës nuk ka mundësi financiare për të ndërhyrë për këtë emergjencë dhe një ekip i Emergjencave Civile kombëtare po pritet për të vlerësuar situatën në terren me ekspertë të gjeologjisë.

Katundishti ka pasur edhe më parë probleme të lidhura me rrëshqitjet dhe fundosjen e tokës, por vlen të theksohet se kjo është situata më ekstreme që banorët po përjetojnë.

Në të gjithë Bashkinë e Këlcyrës reshjet kanë aktivizuar përrenjtë malorë duke bllokuar disa akse dytësore ndërsa disa zona të shpyllëzuara gjatë dekadës së fundit po përfshihen nga rrëshqitjet dhe fundosja e tokës.

Disa dhjetëra hektarë tokë bujqësore është degraduar pas situatës së fundit të motit në të gjithë Bashkinë e Këlcyrës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48602 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE