Pas arrestimit për pastrim parash, Alda Klosi shtrohet në spital/Probleme me tensionin!

vovalbania February 05, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Pas arrestimit për pastrim parash, Alda Klosi shtrohet në spital/Probleme me tensionin!

Alda Klosi shtrohet në spital. Ish-drejtoresha e koncesioneve në Ministrinë e Financave në kohën kur drejtonte Arben Ahmetaj ka shfaqur probleme shëndetësore me tensionin. Emri i zyrtares u bë gjerësisht i njohur në ditët e para të janarit për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash nga banesa dhe si autorë të dyshuar u arrestuan ish-pastruesja Rozeta Dobi e djali i saj Havier Dobi. E akuzuara për vjedhjen e 120 mijë eurove, pranoi të bashkëpunojë me policinë, duke i dorëzuar drejtësisë Alda Klosin. Sipas Rozetës, 41-vjeçares i përkasin edhe mbi 400 mijë eurot e zbuluara nga policia në tubin e aspirimit në apartamentin e saj.

Në një dëshmi të gjatë 7 orëshe në Policinë e Tiranës, Rozeta tregoi se me dijeninë e Aldës inskenoi grabitjen në apartamentin te Rruga e Kosovarëve që Alda Klosi të fajësonte ish-bashkëshortin, i cili e kërcënonte.

Kam vendosur të bashkëpunoj me policinë. Nuk dua të mbrohem nga avokatët që më ka caktuar familja. Dua të më caktoni një avokat shteti. Kam filluar punë si pastruese në shtëpinë e Alda Klosit në vitin 2018. Shtëpinë në atë kohë e kishte te Mozaiku, aty ka pasur dhe një shtëpi tjetër. Në vitin 2018 kam konstatuar që në krevatin e saj të mbuluar me batanije kishte lekë dhe euro, shumë të mëdha.

I kam marrë dhe i kam sistemuar në sirtar dhe e kam telefonuar Aldën, i kam thënë që lekët i ke në sirtar. Alda Klosi kishte përveç kësaj një shtëpi në Kombinat, kishte porositur një shtëpi te Kodra e Diellit dhe kishte një shtëpi të ndërtuar në truallin e prindërve.

Shpesh, Alda lëvizte para’, unë nuk kam prekur gjë. Kur shkoi te apartamenti te “Rruga e Kosovarëve” që u nda nga bashkëshorti, ajo më kërkoi që t’i mbaja këto para’. Unë e kam marrë kasafortën, e kam çuar në shtëpinë time me makinën e djalit dhe i kam sistemuar disa nga lekët dhe bizhuteritë. Disa të tjera i kam vendosur te sirtari i dollapit tim për t’i sistemuar më vonë.

Makinat ia kam blerë unë djalit. Njëra ka kushtuar 3 milion lekë të vjetra. 25 700 euro të gjetura te komoja e krevatit, janë para’ të punës sime. Ndërkohë shtëpinë e bëra unë rrëmujë sepse Alda donte të fajësonte për paratë dhe bizhuteritë bashkëshortin, pasi ai e kërcënonte.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:

Prokuroria Pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, më datë 27.12.2022 ka regjistruar procedimin penal nr. 9220 viti 2022 për veprën penale “Vjedhja” e pasurisë që ka sjellë pasoja të rënda parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë  kriminale” parashikuar nga neni 287 i K. Penal, në ngarkim të shtetasve R. D., dhe H. D.

Procedim penal i mësipërm është regjistruar pasi më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, është vjedhur banesa e shtetases A.K. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera nga organi i prokurorisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është krijuar bindja e bazuar në prova se autorët e dyshuar për kryerjen e veprës penale janë shtetasit R. D. dhe H. D., ndaj të cilëve me kërkesë te prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendos masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Në vazhdën e hetimeve dhe akteve hetimore të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë rezultuar fakte e rrethana që përbëjnë elementë të veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë  kriminale” dhe “ Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal. Sa sipër, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme të bazuara në prova, është bërë ndalimi i shtetases A.K., e vënë nën hetim për konsumimin e elementeve të këtyre veprave penale.

Me urdhrin e datës 03.02.2023, është regjistruar në regjistrin e veprave penale, emri i shtetases A. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë  kriminale” dhe “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal.

Hetimet në lidhje me ketë rast janë komplekse dhe në vijim, duke garantuar se Prokuroria është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, dhe vënien përpara përgjegjësisë te çdo personi të përfshirë në të.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49284 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE