Mbi 39 mijë viktima nga tërmeti në Turqi e Siri/Në Shqipëri flamujt janë në gjysmështizë!

vovalbania February 13, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mbi 39 mijë viktima nga tërmeti në Turqi e Siri/Në Shqipëri flamujt janë në gjysmështizë!

Në Shqipëri, sot është ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, që janë mbi 39 mijë deri tani. Në Gaziantep të Turqisë, një grua u shpëtua nga gërmadhat pas 170 orëve, çka veçohet si mrekulli. Vendimi për të shpallur ditë zie u mor nga qeveria shqiptare në shenjë solidariteti edhe me Turqinë mike, vend që na u gjend pranë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Në Facebook, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj publikoi foton e uljes në gjysmështizë të flamurit kombëtar në Presidencë. Begaj shkruan:

Në këtë ditë zie kombëtare, le të bashkojmë lutjet tona e të shprehim solidaritetin me familjet që po përballen me tragjedinë e tërmetit në kufirin turko-sirian.

Kreu i shtetit thekson se shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e Turqisë gjatë tërmetit që goditi Shqipërinë.

Edhe kryeministri Edi Rama publikoi foton e uljes në gjysmështizë të flamurit kombëtar dhe atij të Bashkimit Europian para Kryeministrisë. Gjithashtu, Rama shprehet:

Ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë.

Turqve të prekur nga tërmeti do t’u jepet mundësia të qëndrojnë përkohësisht te të afërmit në Gjermani. Berlini zyrtar po përgatitet të përshpejtojë dokumentacionin e të reduktojë burokracitë. Planet për turqit që kanë të afërm në shtetin gjerman u njoftuan nga ministritë e Punëve të Jashtme dhe të Brendshme të Gjermanisë.

E ndërsa bilanci rëndohet, Kombet e Bashkuara i druhen faktit se numri mund të dyfishohet. Më shumë se 80 mijë të lënduarit. Në Turqi, shifra e atyre që humbën jetën po i afrohet 30 mijëshit. Në Siri, nga Helmetat e Bardha raportohen më shumë se 9 mijë viktima, shumë prej tyre në zonat e kontrolluara nga rebelët opozitarë në veri-perëndim.
 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48505 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE