Kina shpall “fitore vendimtare” ndaj koronavirusit/Raportimet e Pekinit, të dyshimta!

vovalbania February 17, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kina shpall “fitore vendimtare” ndaj koronavirusit/Raportimet e Pekinit, të dyshimta!

Drejtuesit më të lartë të Kinës po shpallin “fitore vendimtare” në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, pavarësisht akuzave se Pekini zyrtar nuk po tregon numrin e saktë të viktimave nga COVID-19. Në deklaratën e lëshuar nga zyrtarë të një komiteti kinez që mbikëqyret nga lideri i shtetit aziatik, Xi Jinping, thuhet:

Prej muajit nëntor të vitit të kaluar, përgjigjja e Kinës ndaj pandemisë ka përjetuar një tranzicion të butë për një kohë të shkurtër. Praktika e ka dëshmuar që Komiteti ka qenë i drejtë në vlerësimet ndaj pandemisë koronavirus. Më shumë se 200 milion persona të infektuar me koronavirus kanë kërkuar shërbime mjekësore dhe gati 800 mijë raste serioze morën trajtimin e duhur.

Por, në këtë dokument nuk përmendet numri i saktë i viktimave të shkaktuara nga vala e virusit që e ka prekur Kinën në fund të vitit të kaluar. Në dhjetor të vitit 2022, qeveria kineze pati braktisur strategjinë e zero rasteve me COVID, si dhe lehtësoi kufizimet për luftën ndaj pandemisë.

Më pas pati raportime se spitalet dhe krematoriumet nuk kishin kapacitet për t’u përballur me numrin e madh të viktimave me koronavirus. Zyrtarisht janë raportuar 83 mijë e 150 vdekje në spitale në periudhën dhjetor-shkurt. Po ashtu nuk munguan zërat se mjekëve u është thënë që në certifikatat e vdekjes të mos përmendin koronavirusin, si shkak për vdekjen e një pacienti.

Kujtojmë se rastet e para me koronavirusin, që atëherë konsiderohej si “virus misterioz”, për herë të parë u identifikuan në provincën Vuhan të Kinës, në dhjetor të vitit 2019.

Kaluan pak muaj dhe më 11 mars të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH e shpalli koronavirusin “pandemi”. Më shumë se 6.7 milion njerëz kanë humbur jetën që prej shpërthimit të pandemisë në të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të ndjekura nga India e Brazili.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49798 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE