Izrael, sot votimi në Parlament i reformës shumë të kundërshtuar të gjyqësorit!

vovalbania July 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Izrael, sot votimi në Parlament i reformës shumë të kundërshtuar të gjyqësorit!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu sot doli nga spitali pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje në zemër. Tani rrezikon të përballet me një krizë kombëtare të pashembullt, para një votimi në parlament për reformat në gjyqësor. Të shumtë janë protestuesit që besojnë se themelet e Izraelit po gërryhen nga plani qeveritar.

Ata kanë rritur zërin e pakënaqësisë, duke bllokuar rrugën që çon për në godinën e Parlamentit. Bizneset në gjithë shtetin i kanë mbyllur dyert, në shenjë proteste ndaj votimit.

E nxitur nga një koalicion qeveritar i formuar nga partitë ultra-nacionaliste e ultra-fetare, reforma në gjyqësor ndau Izraelin, testoi lidhjet delikate shoqërore e ka rritur shqetësimin edhe te Amerika, aleatja më e ngushtë e Izraelit.

Përpjekjet për gjetje të kompromisit janë duke vazhduar. Presidenti Isaac Herzog është ndërmjetësues i palëve. Por, deri tani nuk është bërë e qartë nëse këto përpjekje do të çojnë në kompromis.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka folur hapur kundër qeverisë Netanyahu dhe planit të saj. Biden paralajmëroi kundër miratimit të ndryshimeve që po shkaktojnë shumë ndasi në popull.

Duke marrë parasysh kërcënimet dhe sfidat me të cilat po përballet Izraeli, nuk ka kuptim që liderët izraelitë të çojnë përpara diçka të tillë. Fokusi duhet të jetë në bashkimin e popullit e gjetjen e një konsensusi.

Netanyahu deklaroi se po tenton të gjejë kompromis me kundërshtarët, ndërsa bëhet gati për votimin që e shndërron projektligjin në ligj. Ndryshimet ligjore përfshijnë kufizim të kompetencave në gjyqësor, kufizim të kapacitetit të Gjykatës së Lartë për t’i sfiduar vendimet parlamentare dhe ndryshimet në mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve.

Netanyahu dhe aleatët e tij të krahut të djathtë thonë se ndryshimet janë të nevojshme për të frenuar kompetencat e gjyqtarëve të paemëruar. Kundërshtarët e tyre që kryesisht vijnë nga klasa e mesme profesionale e Izraelit, shprehen se plani e shkatërron sistemin e ndjeshëm të llogaridhënies dhe e shtyn Izraelin drejt regjimit autoritar.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49814 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE