Skemë mashtrimi me TVSH-në, goditet grupi shqiptaro-italian/6 nën hetim!

vovalbania July 24, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Skemë mashtrimi me TVSH-në, goditet grupi shqiptaro-italian/6 nën hetim!

Në Gjirokastër krijuan skema mashtrimi e përfituan shuma të mëdha nëpërmjet rimbursimit të TVSH-së e kompanive të rreme, vihen nën hetim tre shqiptarë e tre italianë. Ata vepronin në formën e grupit kriminal. Në zbatim të vendimeve të gjykatës u bë sekuestrimi i tre llogarive bankare me shumat 1 milion e 300 mijë euro dhe 13 milion lekë. Hetimet po kryhen në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Njoftimi zyrtar:

Strukturat për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, me mbështetjen e Drejtorisë Kundër Krimit Ekonomik-Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ushtruar kontrolle në Tiranë, në tre subjekte.

Nga kontrollet e ushtruara u gjetën, fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumente të rëndësishme për hetimet. U sekuestruan gjithashtu 19 vula të subjekteve të ndryshme tregtare që dyshohet se janë mbajtur për të ushtruar aktivitetet kriminale nga këto subjekte. U këqyrën dhe u sekuestruan gjithashtu dokumente që kishin lidhje me subjektet në hetim, si dhe u kryen veprimet e nevojshme procedurale.

Nën hetim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Dhënia e informacioneve të rreme”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” shtetasit:

– I.Q, E.B dhe Z.K., shtetas shqiptarë;

– A.D, S.C dhe S.C., shtetas italianë

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar subjekte dhe kanë lëshuar fatura me TVSH fiktive për shërbime konsulence, duke krijuar teprica kreditore, për të përfituar më pas rimbursim të TVSH-së.

Këto skema mashtrimi, për të cilat dyshohen shtetasit e sipërpërmendur po hetohen për lidhjet me shtetasin italian V.R., i arrestuar dhe i dënuar në vitet 2009 e 2013, nga strukturat e policisë tatimore në Caltanissetta të Italisë, për “Mashtrim tatimor për miliona euro, kryer nëpërmjet përdorimit të vazhdueshëm dhe metodik të faturave false, për mallra e shërbime të pakryera apo të kryera për shuma dukshëm më të ulëta”.

Gjithashtu është konstatuar përfshirja e subjektit të arrestuar nga autoritetet italiane në përvetësimin e rëndë, si dhe në regjistrimin fiktiv të pasurisë V.R, duke shfrytëzuar rreth 11 kompani të ndryshme duke falsifikuar fatura për shërbime dhe/ose shitje mallrash të pa kryera dhe për t’u rimbusuar me TVSH.

Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore do të thellojë hetimet duke bashkëpunuar dhe shkëmbyer informacion e ekspertizë me autoritetet italiane, për grumbullimin e provave, identifikimin e dokumentimin e të gjithë personave të përfshirë në këto skema mashtrimi.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48802 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE