“Të rivendoset rendi”, Macron pas protestave: Duhet edhe përgjegjësi familjare!

vovalbania July 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
“Të rivendoset rendi”, Macron pas protestave: Duhet edhe përgjegjësi familjare!

Emmanuel Macron ka bërë thirrje për rivendosjen e rendit në Francë dhe rikthimin e autoritetit në çdo nivel, pas trazirave të dhunshme të muajit të kaluar.

“Nga dhuna që çoi në djegien e shkollave, bashkive, bibliotekave, si dhe në plaçkitje masive, mësimi që unë kam nxjerrë është vendosja e rendit, rendit dhe vetëm rendit”, ka thënë presidenti në një intervistë televizive.

Ai ka theksuar se rendi duhet të dominojë në të gjithë vendin. “Nuk ka liri pa rend dhe kjo do të thotë rend në nivel republike dhe rikthim tek qetësia”, ka vijuar Macron.

Sipas kreut të shtetit, Franca ka gjithashtu nevojë për rikthimin e autoritetit në çdo nivel shoqëror, duke filluar me familjen e më pas në shkolla dhe institucione të tjera.

“Nuk i takon Ministrisë së Arsimit e jo më policisë të zgjidhë problemin. Duhet t’i mbajmë familjet përgjegjëse dhe të mbështesim ato që ndodhen në vështirësi. Duhet të riinvestojmë masivisht tek të rinjtë, për t’u dhënë atyre një model”, ka shtuar Macron.

Presidenti fajësoi më tej edhe rrjetet sociale, duke kërkuar vendosjen edhe të një rendi digjital, për të parandaluar trazirat.

Më 27 qershor, vdekja e një 17-vjeçari, që u qëllua në distancë të afërt nga një oficer policie gjatë një kontrolli në qytetin Nanterr, ndezi protestat që u shoqëruan me disa netë dhune, me djegie makinash, sulme ndaj godinave publike dhe plaçkitje në shumë qytete të Francës.

Në tërësi, mbi 1 mijë e 300 persona kanë dalë përpara trupi gjykues për aktet e dhunës, përfshirë mbi 600 minorenë, shumica e të cilëve megjithatë nuk u paraqitën në gjykatë pasi për të rinjtë nën moshën 18 vjeç ka procedura të tjera.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48834 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE