Greqia në betejë me flakët, por parashikimet nuk janë optimiste!

vovalbania July 25, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Greqia në betejë me flakët, por parashikimet nuk janë optimiste!

Rreziku i zjarreve mbetet jashtëzakonisht i lartë në Greqi ku flakët kanë shpërthyer në 64 rajone përfshirë Athinën, gadishullin e Peloponezit dhe shumë ishuj në Egje. Parashikimet nuk janë optimiste. Me rrezikshmëri të lartë, situata do të mbetet edhe ditët në vijim. Zjarret më masivë shpërthyen në Rodos, Korfuz e po ashtu në Eubea.  Ekipet e zjarrfikësve nga Turqia dhe Egjipti u vendosën në terren për të përforcuar ato greke në luftën me zjarret. Erërat e forta vazhdojnë të favorizojnë flakët.

Çdo verë, zjarret janë kthyer në problematikë jo vetëm për Greqinë ku me mijëra turistë u detyruan të ndërpresin pushimet, por edhe në vendin tonë. 125 vatra janë raportuar në muajt qershor-korrik, ndërsa korriku ende nuk është mbyllur.

Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako mblodhën prefektët dhe kryetarët e bashkive për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar nga zjarret.

Peleshi bëri të ditur se nga qershori deri në fund të korrikut ishin gjithsej 125 vatra zjarri. Nga autoritetet lokale, ministri kërkoi që sinjalizimi të bëhet në kohë, në mënyrë që të ndërhyjnë ekipet e emergjencave.

Çako e konsideroi shumë kritike situatën në Vlorë e në Peshtan. Në këtë fshat të Fierit janë djegur 30 ha pyje me pisha e dushk. Aty është ndërhyrë dhe nga ajri pasi ka patur momente të forta rreziku kur flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke iu afruar rrugës Fier-Cakran. U rrezikuan të digjeshin sipërfaqe të mbjella me ullinj. Për zjarrin në Peshtan, autoritetet arrestuan një 28-vjeçar, i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.

Zjarrfikësit thanë se temperaturat e larta mund të ndikojnë në riaktivizimin e vatrave. Në qarkun Fier, dje u regjistrua një tjetër vatër, në Shtyllas. Eshtë fjala për një sipërfaqe me shkurre, që nuk ndodhet shumë larg shtëpive.

Si problematik është veçuar dhe zjarri i dyshuar i qëllimshëm në vendgrumbullimin e mbetjeve në Vlorë. Në kulmin e sezonit turistik, tymi mbuloi qytetin bregdetar e fenomeni përsëritet. Sipas kryebashkiakut të ri të Vlorës, Ermal Dredha, zgjidhje do të ishte vendgrumbullimi i Sherishtës, por që për shkak të disa klauzolave ligjore, ende nuk është vënë në punë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48831 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE