Valët e të nxehtit në Europë dhe SHBA gati të pamundura, pa ndryshimet e klimës!

vovalbania July 25, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Valët e të nxehtit në Europë dhe SHBA gati të pamundura, pa ndryshimet e klimës!

Valët e të nxehtit që këtë muaj kanë përfshirë Europën dhe Shtetet e Bashkuara do të ishin “virtualisht të pamundura” pa ndryshimet klimatike të nxitura nga njeriu. Në këtë përfundim del një studim shkencor. Ngrohja globale nga djegia e lëndëve fosile e ka rritur me 50 herë mundësinë që disa pjesë të Kinës të përballen me temperatura të larta.

Sipas studimit të Qendrës Klimatike të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, ndryshimet klimatike nënkuptojnë se vala e të nxehtit në jug të Europës ka qenë 2.5 gradë Celcius më e lartë. Sipas ekspertëve, pothuajse të gjitha shoqëritë janë të papërgatitura për të nxehtin vdekjeprurës.

Autorët e studimit thonë se gjetjet e tyre evidentojnë rëndësinë e përshtatjes së botës me temperaturat e larta, se ato nuk janë më “të rralla”.

I nxehti është në mesin e katastrofave më vdekjeprurëse.  Shtetet duhet të ndërtojnë shtëpi rezistente ndaj nxehtësisë, të krijojnë “qendra të freskëta”, dhe të gjejnë mënyra si t’i ulin temperaturat në qytet, përfshirë mbjelljen e më shumë pemëve.

Në korrik, temperaturat kanë shënuar rekorde të reja në disa pjesë të Kinës, në jug të Shteteve të Bashkuara e në Spanjë. Prej ditësh, miliona njerëz jetojnë me alarmin e kuq nga i nxehti ekstrem. Ky lloj i nxehti mund të jetë kërcënim serioz për jetën e njeriut, sidomos për të moshuarit.

Sipas një studimi tjetër, më shumë se 61 mijë vetë vlerësohet se kanë gjetur vdekjen nga shkaqe të lidhura me të nxehtin në Europë, vitin e kaluar. Studimi e ka konfirmuar atë që kemi ditur më parë. Tregon sa shumë rol luajnë ndryshimet klimatike në atë me të cilën jemi duke u përballur.

Disa dekada të lëshimit të gazrave serrë në atmosferë kanë ndikuar në rritjen e temperaturave globale. Bota është ngrohur me 1.1 gradë Celcius në krahasim me epokën industriale. Nëse temperatura arrin 2 gradë, çka për shkencëtarët është shumë e mundshme, të tilla valë të të nxehtit do të jenë prezente çdo dy deri në pesë vjet.

Në studim është analizuar dhe roli i El Ninjos. Ky fenomen ndikon në rritjen e temperaturave globale, pasi ujërat e ngrohtë dalin mbi sipërfaqe të oqeaneve dhe i nxehti kalon në ajër. El Ninjo mund të ketë luajtur rol të vogël në këto valë të të nxehtit, por djegia e lëndëve fosile ka qenë kyçe për situatën aktuale.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49734 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE