Rritet numri i viktimave në Ukrainë nga sulmet ruse, raportohen 9 humbje jete!

vovalbania July 31, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rritet numri i viktimave në Ukrainë nga sulmet ruse, raportohen 9 humbje jete!

Të paktën nëntë civilë ukrainas, përfshirë një fëmijë, janë vrarë nga granatimet dhe sulmet ajrore ruse, thanë zyrtarët, teksa forcat e Kievit kanë njoftuar se kanë bërë përparime të tjera territoriale në jug mes luftimeve të ashpra në gjithë vijën e frontit.

Numri i viktimave në Krijvij Rih u rrit në katër pas sulmit në orët e para të 31 korrikut në një ndërtesë banimi, thanë shërbimet e emergjencës.

Guvernatori rajonal, Serhiy Lysak, tha se një 10-vjeçar ishte në mesin e të vrarëve. Ndërkaq, kreu i Këshillit të Mbrojtjes së Krijivij Rih, Oleksandr Vilkul, tha se edhe tetë persona mund të jenë të bllokuar nën rrënoja.

Presidenti I Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e postoi një video në Facebook, e cila shfaqi tym të zi duke dalë nga një vrimë e madhe e krijuar në fasadën e një blloku banesash.

Pamjet treguan, po ashtu, një ndërtesë të pabanueshme e cila ishte shkatërruar pjesërisht.

Zelensky tha se forcat ruse po “vazhdojnë t’i terrorizojnë qytetet dhe njerëzit paqësorë”.

“Por ky terror nuk do të na frikësojë apo gjunjëzojë neve”, shtoi Zelensky.

Rusia ka granatuar qytetin jugor të Hersonit për të dytën herë brenda 24 orëve, duke vrarë një 65-vjeçar, tha guvernatori rajonal, Oleksandr Prokudin.

Pavlo Kyrylenko, guvernatori i rajonit lindor të Donjeckut tha se ditën paraprake dy civilë u vranë gjatë granatimeve ruse.

Autoritetet lokale në qytetin verilindor ukrainas të Sumit më 30 korrik po ashtu raportuan për dy civilë të vrarë dhe 17 të plagosur pas një sulmi me raketa të kryer nga forcat ruse.

Në fushëbetejë, forcat ukrainase janë përfshirë në luftime të ashpra përgjatë gjithë vijës së frontit, duke zmbrapsur sulme ruse në verilindje dhe duke bërë përparim në jug, thanë zyrtarët ukrainas.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, forcat e Kievit kanë zhvilluar mbi 20 beteja në 24 orët e fundit. Ushtria tha po ashtu se Rusia ka vazhduar sulmet ajrore dhe granatimet, duke shënjestruar popullatën civile dhe infrastrukturën.

“Si rezultat i sulmeve ruse, fatkeqësisht ka të vdekur dhe të plagosur në mesin e civilëve. Po ashtu, ndërtesat e banimit janë dëmtuar”, tha ushtria.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE