Franca dhe Japonia kryejnë stërvitje ushtarake mes tensioneve në Kinë!

vovalbania August 02, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Franca dhe Japonia kryejnë stërvitje ushtarake mes tensioneve në Kinë!

Forcat ajrore franceze dhe japoneze përfunduan katër ditë stërvitje luftarake në Japoni të shtunën, e para e këtij lloji mes dy aleatëve.

Por edhe ndërsa Parisi kërkon të ndërtojë aleancat e tij ushtarake në rajonin e Indo-Paqësorit, qeveria franceze bllokoi propozimin për të hapur një zyrë ndërlidhëse të NATO-s në Tokio. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga Japonia.

Për publikun dhe për vetë Japoninë – kjo ishte diçka e re. Avionë luftarakë francezë duke fluturuar përkrah avionëve luftarakë japonezë. Stërvitjet e përbashkëta ajrore janë pjesë e një stërvitjeje më të madhe franceze të koduar ‘Pegase 2023’ që po zhvillohet në të gjithë Indo-Paqësorin, duke përfshirë disa ishuj, territore franceze.

“Është e natyrshme që Franca, një vend që ka territore në Indo-Paqësor, është veçanërisht e shqetësuar nga tensionet gjeopolitike që ndjehen në rajon si rezultat i konkurrencës midis fuqive të mëdha”, thotë Stephane Mille, shef i shtabit të forcave ajrore franceze.

Këto tensione ndjehen edhe nga NATO-ja, e cila përmend Kinën si një sfidë për interesat e aleancës.

“Interesi i NATO-s ndikohet shumë nga ajo që ndodh në rajonin e Indo-Paqësorit. Kjo do të thotë se NATO-ja duhet të angazhohet më shumë për interesat e saj”, thotë për Zërin e Amerikës analisti i sigurisë Michito Tsuruoka.

Në takimin e saj të fundit të nivelit të lartë në korrik, NATO-ja debatoi për hapjen e një zyre ndërlidhëse në Tokio. Por Emmanuel Macron, presidenti i Francës, vend anëtar i NATO-s, e bllokoi nismën, pavarësisht aleancës së ngushtë me Japoninë. Fabrice Pothier cili ka shërbyer në planifikimin e politikave të NATO-s shpjegon arsyet.

“Është shumë e qartë se presidenti Macron dëshiron të shmangë çdo lloj përballjeje, apo dinamike, që mund të çojë në përshkallëzim me Kinën.”

Kina paralajmëroi se hapja e një zyre të NATO-s në Tokio do të ‘destabilizonte’ rajonin. Nuk ka asnjë rrezik të tillë, thotë analisti Tsuruoka.

“NATO-ja, po flet vetëm për një zyrë me një person. Pra, nuk do të ndryshojë kurrë ekuilibrin e forcave në rajon”.

Tani për tani, Parisi po fuqizon marrëdhëniet dypalëshe me aleatët e Indo-Paqësorit.

“Franca është gjithmonë e prirur të theksojë se NATO-ja është një organizatë euroatlantike me kufij dhe përgjegjësi disi të qarta gjeografike. Dhe se shtrirja përtej këtij kufiri është në thelb tejkalim i mandatit të saj thelbësor”, thotë Fabrice Pothier.

Japonia dhe Franca thonë se stërvitja e tyre e përbashkët synon ‘të mbështesë vizionin e një rajoni të lirë dhe të hapur të Indo-Paqësorit’.

Por a ka NATO-ja një rol në këtë vizion? Është një pyetje, që aleanca dhe aleatët e saj në rajon, duhet ende ta vendosin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48983 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE