“Oppenheimer” përpjekja titanike e Christopher Nolan për ta kthyer ngjarjen historike që ndryshoi botën në një film artistik. Kritikë.

vovalbania August 02, 2023 0 koment 5 Mund të lexoni në minuta.
“Oppenheimer” përpjekja titanike e Christopher Nolan për ta kthyer ngjarjen historike që ndryshoi botën në një film artistik. Kritikë.

“Oppenheimer” është përpjekja titanike e vizionarit Christopher Nolan për të bërë ngjarjen historike që ndryshoi përgjithmonë botën në një film artistik të jashtëzakonshëm. A ja doli? Muaji që kaloi ka hyrë në histori jo vetëm për motin e çartur, temperaturat përvëluese ndjekur nga stuhi ferri, por edhe për suksesin e të ashtuquajturit “BarbieHeimer” dy filmat që mbushën sallat e kinemave në mbarë globin në një ndodhi të rrallë për muajin e pushimeve verore që është përsëritur vetëm katër herë në të shkuarën.

Kur vjen puna për zgjedhjen e ‘Kë duhet të shohësh të parin, “Barbie”-n apo “Oppenheimer”-in’ në rastin tim qé fare e thjeshtë. Si ndjekës prej dekadash i Christopher Nolan dhe artit të tij, në dijeni të projektit që kur filmi i tij i mëparshëm “Tenet” doli në platformat e streaming-ut, mezi prisja të shihja filmin e tij të dytë bazuar në fakte historike. (I pari “Dunkirk” thjesht të shton kuriozitetin për “Oppenheimer”).

Si në pjesën tjetër të botës, edhe në Cineplexx TEG,  mania e rozës së “Barbie”-t prevaloi mbi një film të gjatë dhe historik siç është “Oppenheimer”, sidoqoftë mua m’u bë thjesht qejfi që njerëzit ishin në turma të mëdha e entuziaste për të parë një film që nuk kishte për protagonist aktorë humori të kthyer në film-bërës. Natyrisht nuk u habita kur gjatë filmit, kishte prej atyre që çoheshin për të mos u kthyer më kurrë, ama për mua me çdo sekondë që kalonte më thellohej bindja që Nolan e kishte bërë sërish; (ahhh sa do doja ta kisha parë në një sallë i-max-i). Historia e shkencëtarit që ndryshoi botën njëherë e përgjithmonë nuk ja doli të ishte filmi më i parë i vitit, por solli sërish një copëz artistike [dhe teknike] të munguar në ekranin e madh që vetëm gjení si Nolan mund ta sjellin.

Kritikat për filmin kanë qenë gjithashtu shumë të ndara; “The Atlantic” për shembull e quante filmin një dështim i regjisorit për të zbërthyer personazhin në atë që mund të ishte një dokumentar historik në “Histori Channel” – një opinion me të cilin nuk jam dakord. Si fillim mendoj që nëse dokumentarët historik do të kishin këtë vëmëndje për detajin, cilido prej nesh do të dinte pak më shumë për historinë sesa dimë. Përtej kësaj mendoj se përpjekja e Nolan për të zbërthyer një ngjarje e cila shënoi jo vetëm shekullin e kaluar por vulosi në tërësi botën që jetojmë sot është e realizuar mjeshtërisht.

“Oppenheimer” është një film që mbledh disa zhanre bashkë, një epik, dramën e një hetimi, romancën e pa-sforcuar, ka kaq shumë brenda filmit që ka në qendër J Robert Oppenheimer i quajtur “babai i bombës atomike”. Cillian Murphy është padyshim boshti i forcës së rëndesës, me atë që mund të quhet me plot gojën interpretimi më i mirë i karrierës së tij (deri më tani). Shkencëtari, jeta, karakteri dhe personaliteti i të cilit shpërfaqet në të gjitha dimensionet përgjatë filmit, do të pendohet thellësisht për shpikjen e tij dhe të kolegëve të tij, mënyrën se si politika dhe shkenca nuk kanë ngahera axhenda të përbashkëta. Lufta e tij e brendshme dhe e jashtme është vërtet një nga dramat më të bukura të filmuara nga një kamera.

Filmi ka një kast të jashtëzakonshëm aktorësh, të gjithë të zgjedhur me një kujdes të imtësishëm dhe të vendosur aq mirë me njëri tjetrin. Në një intervistë Nolan është shprehur se:

Nuk ka shkruar kurrë një skenar me një aktor specifik në mendje, por në përfundim çdo gjë është e qartë se kujt i rri çfarë.

Regjisorit [mesa duket] e kanë të vështirë ti thonë jo pavarësisht madhësisë së rolit.

“Më mori në telefon dhe më tha që roli është i vogël, a thua po më justifikohej, por unë i thashë që edhe sikur të shërbej kafe në film do vij se s’bën” – ka thënë Florence Pugh e cila luan Jean Tatlock – një personazh emblematik i historisë.

Veç Emily Blunt, Rami Malek, Matt Damon, Gary Oldman, Casey Afflect, Jason Clarke, Keneth Branagh, Nolan ka punuar në këtë film edhe me Josh Hartnett me të cilin nuk punuan gjatë mbasi ky i fundit nuk pranoi të ishte pjese e “Inception”. Prej asaj kohe Hartnett u zbeh në karrierën e tij, duke provuar se sa i rëndësishëm është Christopher Nolan dhe prodhimet e tij. I keqi i filmit është gjithashtu një tjetër rast Oscar-i, sikundër Murphy; Robert Downey Jr. interpreton Lewis Strauss ish kolegun e Oppenheimer-it i cili i kthehet kundër atij dhe asaj që kishte ndodhur me ‘Manhattan Project’ për shkak të ambicieve politike. Interpretimi i Downey Jr. është i një tjetër niveli.

Sigurisht që nuk është një film pa probleme, si në çdo film të Nolan, ku ka një mori gjërash që ndodhin paralelisht. Duke u përqëndruar tek ngjarja historike, përjtimet e personazheve të dytë, sidomos atyre femërore janë disi të mefshta. Po fundja filmi quhet “Oppenheimer”…Si në rastin e “Memento” (2000), ai ka përdorur ngjyrat kur historia është e treguar nga të tjerë, dhe bardh-e-zi-inë kur përjetimet janë të protagonistit; kësisoj audienca e ka më të lehtë të kuptojë filmat në përgjithësi të komplikuar të Nolan i cili luan me nocionin e kohës si macja me topin e leshit. Skenari është shkruar nga po ai, i përshtatur nga biografia e Kai Bird dhe Martin J Sherwin – “American Prometheus – Triumfi dhe tragjedia e J. Robert Oppenheimer” botuar në 2005 dhe fitues i çmimit Pulitzer në 2006 për Biografinë më të mirë të vitit.

Arritjet e regjisorit në këtë film janë empirike – qofshin këto artistike apo teknike. Xhiruar në 70mm I-max film, çdo moment i filmit është përhumbës. Nolan është mjeshtër i gërshetimit të vizuales dhe audios, me një tjetër perlë për kolonë zanore. Kolona zanore e Ludwig Göransson i jep kuadrit të “Oppenheimer” një thellësi përthithëse.

Aftësia jonë për të harruar të shkuarën dhe për të mos nxënë nga gabimet e saj është ngandonjëherë sfilitëse. Ky film është një testament i një historie e cila nuk duhet harruar, realizuar aq mjeshtërisht, sa mbase, do të jemi më të kujdesshëm me atë që bëjmë në të tashmen. Ah sikur kinemaja të kishte këtë efekt…

 

“Oppenheimer” vazhdon të shfaqet në Cineplexx TEG & QTU!

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48925 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE