Tensionet nga grushti i shtetit, qytetarët e huaj evakuohen nga Nigeri!

vovalbania August 02, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tensionet nga grushti i shtetit, qytetarët e huaj evakuohen nga Nigeri!

Në aeroportin e Nigerit, qytetarët e huaj presin në radhë për fluturimin e tretë të evakuimit, pas puçit në vendin e Afrikës Perëndimore. Në kryeqytetin Niamey, forcat franceze evakuan qindra të huaj, kryesisht francezë drejt Parisit, me dy avionë. Kjo pas shqetësimeve se qytetarët e tyre dhe të tjerë europianë rrezikojnë të ngujohen nga grusht-shteti ushtarak i javës së kaluar, në të cilin u rrëzua dhe u arrestua presidenti Mohamed Bazoum.

Franca, Italia e Spanja po i evakuojnë qytetarët e tyre dhe europianët e tjerë nga Nigeri. Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë njoftuar nëse do t’i evakuojnë qytetarët, por disa amerikanë janë larguar me ndihmën e shteteve europiane tashmë.

Një avion ushtarak italian sot u ul në Romë me 99 udhëtarë, përfshirë 21 amerikanë e civilë nga vendet e tjera. Lajmin e jep Ministria e Mbrojtjes e Italisë.

Dy avionët e parë që gjatë natës zbritën në Paris kishin 12 foshnje në mesin e 262 udhëtarëve në bord, shumica e të cilëve francezë. Ministria e Punëve të Jashtme e Francës tha se në mesin e të evakuarve kishte edhe qytetarë nga Nigeri, Portugalia, Belgjika, Etiopia e Libani.

Të dielën, blloku rajonal i vendeve të Afrikës Perëndimore, ECOWAS tha se do ta përdorë forcën kundër juntës së Nigerit, nëse nuk e liron dhe nuk e rikthen në pushtet presidentin e vendit brenda një jave. Por, kjo deklaratë u kundërshtua menjëherë nga Mali, Burkina Faso e Guineja, vende që udhëhiqen nga ushtarakë kryengritës që i rrëzuan qeveritë e tyre.

Liderët e Malit e Burkina Fasos thanë se ndërhyrja ushtarake në Niger “do të nënkuptonte shpallje të luftës” kundër tyre.

Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se sekretari i Shtetit, Antony Blinken foli me presidentin Bazoum e theksoi se SHBA-të e kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur rendin kushtetues.

SHBA-të përkrahin popullin e Nigerit, ECOWAS-in, si dhe Unionin Afrikan e partnerët ndërkombëtarë, në mbështetje të qeverisjes demokratike e respektimit të sundimit të ligjit e të drejtave të njeriut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50101 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE