Testi “PISA 2025” do të fokusohet në shkencë, vlerësim i ri për gjuhët e huaja!

vovalbania February 02, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Testi “PISA 2025” do të fokusohet në shkencë, vlerësim i ri për gjuhët e huaja!

Vitin tjetër do të zhvillohet Testi Global i Arritjeve Mësimore “PISA 2025”, i cili do të ndryshojë fokusin e testimit nga matematika dhe leximi tek njohuritë shkencore, të mësuarit në botën digjitale dhe do të ketë një vlerësim të ri për gjuhët e huaja.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) që punon për të ndërtuar politika për një jetë më të mirë prej më shumë se dy dekadash zhvillon një test global për të vlerësuar njohuritë mesatare të nxënësve në moshën 15 vjeç në rreth 80 vende të botës.

Shqipëria që është pjesë e këtij testi që nga viti 2000 dhe iu nënshtrua vlerësimit të fundit në vitin 2022. Rezultatet ishin të dobëta duke bërë dy dekada pas. Në matematikë, nxënësit shqiptare morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018-ës dhe 21 pikë më pak se më 2012-ën. Në letërsi morën 358 pikë, 47 më pak se më 2018 dhe 35 më pak se më 2012.

OECD ka shpallur kornizën e testimit PISA 2025, ku do të përfshihet domeni inovativ, të mësuarit në botën digjitale, i cili synon të masë aftësinë e studentëve për t’u përfshirë në të mësuarin e vetë-rregulluar gjatë përdorimit të mjeteve digjitale, teksa PISA 2022 kishte në fokus kryesor testim e njohurive në matematikë.

Vlerësimi PISA 2025 do të masë se sa mirë vendet po i përgatisin studentët e tyre me shkencën dhe se si shkenca prodhon njohuri të besueshme. Kjo është thelbësore për qytetarët që duhet të marrin vendime personale të informuara për fenomene të lidhura me shkencën, si shëndeti dhe mjedisi, për t’u përfshirë në veprime brenda familjeve të tyre, komuniteteve lokale dhe më gjere shoqërisë.

Eshtë veçanërisht e rëndësishme në shekullin e 21-të kur njerëzimi përballet me një të ardhme të pasigurt, një epokë në të cilën ndikimi njerëzor po ndryshon ndjeshëm sistemet e Tokës.

Testet e mëparshme të PISA-s për vlerësimin e shkencës kanë përpunuar një koncept të “arsimimit shkencor”, ndërsa PISA 2025 kalon në një kornizë më të gjerë. Fokusi i dokumentit është tani në rezultatet e përgjithshme të edukimit shkencor, për të sjellë kuadrin shkencor në përputhje me matematikën dhe lexim.

Shkenca dhe lidhja e saj më mjedisin do të jetë në fokus të testit 2025, por ndërkohë Shqipëria rrezikon të përkeqësojë më tej renditjen pasi, vendi është dobët me edukimin digjital dhe kërkimin shkencor.

Në Shqipëri të mësuarit digjital mungon tërësisht në arsimin para universitar. Klasat digjitale nuk janë funksionale, shkollat nuk kanë tablete, internet dhe për më tepër mësuesit nuk janë të aftë për të zhvilluar mësimin me teknologji./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49062 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE