Trump akuzohet për komplot në përmbysjen e rezultatit të presidencialeve të 2020-ës!

vovalbania August 02, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Trump akuzohet për komplot në përmbysjen e rezultatit të presidencialeve të 2020-ës!

Pas hetimeve të Departamentit amerikan të Drejtësisë, Prokurori i Posaçëm ngriti akuza të reja ndaj ish-presidentit Donald Trump për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 2020-ës. Ato rezultuan në protestën e dhunshme të përkrahësve të tij kundër Kapitolit.

Akt-padia, e treta për Trump-in, përfshin akuza për komplot kundër Shteteve të Bashkuara e ndërhyrje ndaj dëshmitarëve.

Hetimet federale kishin në qendër përpjekjet e tij e të aleatëve, për të sabotuar transferimin paqësor të pushtetit, që të qëndronte si president ndonëse humbi ndaj rivalit Joe Biden.

Akuzat e reja janë të pashembullta për pretendimin e tyre se një ish president u përpoq të minojë bazat e demokracisë në një përpjekje të dëshpëruar, që në fund dështoi, për të mos u larguar nga pushteti.

Donald Trump ishte i vendosur të qëndronte në pushtet, duke thurur komplote kundër themelit ku mbështetet funksionimi i qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara: procesi i grumbullimit, numërimit e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Pritet që nesër Donald Trump të dalë para gjykatësit.

Padia e re kriminale ngrihet në kohën kur ai është në krye të listës së kandidatëve republikanë duke synuar emërimin nga partia për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Trump, përkrahësit e madje edhe disa prej kandidatëve republikanë pritet ta kundërshtojnë akt-padinë e ta quajnë tjetër sulm të motivuar politikisht.

Megjithatë, akuzat rrjedhin nga një prej kërcënimeve më serioze ndaj demokracisë amerikane në historinë moderne. Ato përqendrohen në ngjarjet që ndodhën gjatë dy muajve, pas zgjedhjeve të nëntorit 2020, rezultatin e të cilave ish-presidenti Trump refuzoi ta njohë, duke përhapur gënjeshtra se ai ishte fituesi, por votat ishin vjedhur.

Periudha e trazuar kulmoi me protestën e dhunshme para Kapitolit më 6 janar 2021, kur besnikët e Trump-it, hynë me dhunë në ndërtesën e Kongresit, sulmuan oficerët e policisë dhe ndërprenë procesin e numërimit të votave elektorale nga anëtarët e Kongresit.

Trump i bëri presion ish-zv.presidentit Mike Pence të ndërpriste procesin e certifikimit e pretendoi se votat ishin vjedhur, pretendim që në mënyrë të përsëritur u hodh poshtë nga gjykatës të ndryshëm.

Ngritja e akt-padisë ishte e pritshme, që kur në mes të korrikut, vetë Trump bëri të ditur se Departamenti i Drejtësisë e njoftoi se ai ishte objekt i hetimit mbi ngjarjet e 6 janarit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49643 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE