Kosovë, burgim të përjetshëm autorit të vrasjes makabre të 18-vjeçares Marigona Osmani!

vovalbania August 04, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kosovë, burgim të përjetshëm autorit të vrasjes makabre të 18-vjeçares Marigona Osmani!

Gjykata Themelore e Ferizajt dënoi me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ky vendim i gjyqtarit Sahit Krasniqi, u prit me brohoritje e duartrokitje në sallë. 15 vjet heqje lirie u vendosën për të dyshuarin tjetër, Arbër Sejdiu, i shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Por, Krivaqa e Sejdiu u shfajësuan nga akuza për dhunë, se sipas gjykatës nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçe kur u vra më 22 gusht 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. Trupin e pajetë të viktimës, Krivaqa e Sejdiu e dërguan në spitalin e qytetit dhe më pas u larguan në drejtim të panjohur.

Fjala e gjyqtarit: Si u shkaktua vdekja e Marigona Osmanit?

Gjatë dy ditëve rresht, kohë pas kohe, në vazhdimësi, me një shkop të drurit e godet viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike. Nga pasojat e kësaj dhune ekstreme të shkaktuara nga shtypja, goditjet, apo përplasjet me ndonjë mjet të fortë dhe të rëndë mprehës, shkaktohet vdekja e së ndjerës Marigona Osmani, e cila ka ardhur si rrjedhojë e politraumës, lëndimeve të shumëfishta.

Politrauma dhe vdekja kanë ardhur drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasoja të gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme, nga thyerjet e ashtit të nofullës së poshtme, thyerjet e brinjëve djathtas dhe majtas, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputjes parciale të palcës së kurrizit në qafë, dhe të ndjerën, [Krivaqa] me ndihmën e të pandehurit Arbër Sejdiu e dërgon në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

Nga kjo vepër penale janë shkaktuar pasoja të rënda në familjen e së ndjerës dhe është shkaktuar shqetësim i madh edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Avokati i familjes së Marigona Osmanit shprehu pakënaqësi për dënimin e ulët të Sejdiut, duke theksuar se meriton dënim të përjetshëm.

Vrasja e Marigonës ka qenë vrasja më e rëndë në periudhën e pasluftës, sepse kronologjia e kësaj vrasjeje ka zgjatur 72 orë para se ajo të ndërrojë jetë.

Gjykata nuk gjeti rrethana lehtësuese për të akuzuarin Dritan Krivaqan, teksa renditi disa nga masat rënduese për të:

Si rrethana rënduese, Gjykata mori parasysh shkallën e lartë të përgjegjësisë penale, rrezikshmërisë shoqërore; intensitetin e lartë të dëmtimit të vlerës së mbrojtur – të drejtën për jetë, e cila garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Veprën penale i pandehuri e ka kryer me paramendim, nga motivi i xhelozisë ndaj anëtarit të ngushtë të familjes, tani të ndjerës Marigona Osmani, me të cilën ka bashkëjetuar.

Si rrethanë rënduese [Gjykata] ka marrë parasysh moshën e re të së ndjerës, e cila veç sa kishte arritur në moshën 18-vjeçare. Pastaj mënyrën dhe rrethanat se si është kryer vepra penale: në mënyrën më barbare me privimin gradual nga jeta në një ambient të mbyllur, në banesë, ku e ndjera ka qenë krejtësisht e pambrojtur.

Nga kjo vepër penale janë shkaktuar pasoja të rënda në familjen e së ndjerës dhe është shkaktuar shqetësim i madh edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49407 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE