Siguria në plazhe, bllokohen 12 mjete lundruese në Sarandë dhe Vlorë, gjobiten drejtuesit

vovalbania August 06, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Siguria në plazhe, bllokohen 12 mjete lundruese në Sarandë dhe Vlorë, gjobiten drejtuesit

Aksioni i policisë kufitare të Vlorës dhe Sarandës që vijon prej nisjes së sezonit turistik në Jug të vendit, ka çuar këtë fundjavë në bllokimin e 12 mjeteve lundruese, duke përfshirë motorë uji “Jet Ski”, por edhe varka e gomone.

Pronarët e tyre apo personat që i drejtonin janë ndëshkuar me masë administrativë gjobë, që variojnë nga 10.000 deri në 100.000 lekë të rinj.

Qarkullimi i këtyre mjeteve lundruese është bërë për shkak të paligjshmërive të ndryshme, si lundrim jashtë zonës së përcaktuar, ushtrim i aktivitetit të turizmit detar në kundërshtim me ligjin, apo mosregjistrim i mjetit lundrues dhe mungesë dokumentacioni.

Njoftimi i policisë:

Në të gjithë hapësirën ujore të qarkut Vlorë, grupe kontrolli nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Nga Vlora në Sarandë janë bllokuar 12 mjete të tjera lundruese.

Mjetet e bllokuara: 7 Jet Ski, 2 anije turistike, 2 skafe dhe 1 gomone.

Shkeljet e konstatuara: lundrim/bregëzim jashtë zonës së përcaktuar, ushtrim i aktivitetit të turizmit detar në kundërshtim me ligjin, mosregjistrim i mjetit lundrues brenda afatit të përcaktuar dhe mungesë dokumentacioni.

Krahas bllokimit të mjeteve lundruese, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative që variojnë nga 10 000 deri në 100 000 lekë të rinj.

Si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare dhe të hapësirës ujore të qarkut Vlorë, me objektivin primar, garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe pushuesve, Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë, ka bllokuar 12 mjete të tjera lundruese, të cilat u konstatuan në paligjshmëri të ndryshme.

-Në Radhimë, Ksamil dhe Sarandë janë bllokuar 7 mjete lundruese Jet Ski. 2 drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 100 000 lekë të rinj, për lundrim/bregëzim në zonë të ndaluar; 2 drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 20 000 lekë të rinj, për mosregjistrim të mjeteve lundruese brenda afatit të përcaktuar me ligj; 3 drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë të dokumentacionit në bord.

– Në molin e portit të Vlorës janë bllokuar 2 anije turistike. Secili nga drejtuesit (kapitenët) u ndëshkua me masën administrative 100 000 lekë të rinj, për ushtrim të aktivitetit (turizmit detar) në kundërshtim me ligjin.

-Në Gjipe u bllokua 1 mjet lundrues gomone. Drejtuesi u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni në bord.

-Në Dhërmi u bllokuan dy skafe për mungesë dokumentacioni. Drejtuesit e mjeteve lundruese u ndëshkuan me masë administrative me nga 10.000 lekë secili.

Policia Kufitare e Vlorës apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.

Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.

Në përditësim…

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49207 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE