Banka e Shqipërisë bleu 18 milion euro të premten, kursi i euros ra përsëri!

vovalbania August 07, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Banka e Shqipërisë bleu 18 milion euro të premten, kursi i euros ra përsëri!

Të premten, Banka e Shqipërisë zhvilloi ankandin e 11-të të këtij viti për blerjen e valutës në tregun e brendshëm. Njëkohësisht, ky ishte i pari ankand pas sinjaleve të dhëna këtë javë nga guvernatori se banka qendrore do të rrisë blerjet në tregun e brendshëm valutor, për të frenuar mbiçmimin e fortë të lekut në kursin e këmbimit.

Shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 5 dhe 9 milion eurove, ndërsa Banka e Shqipërisë realizoi blerje në vlerën e sipërme të intervalit, për gjithsej 9 milion euro.

Në raundin e parë, blerjet u realizuan me një kurs midis 104.37 e 104.55 lekëve. Në raundin e parë, kursi mesatar i ponderuar i blerjeve ishte 104.41 lekë.

Banka e Shqipërisë ushtroi dhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 8 milion eurosh, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë prej 104.41 lekësh. Në total, shuma e blerë në ankandin e datës 4 gusht arriti në 18 milion euro.

Këtë muaj, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë blerjet e planifikuara të euros në tregun e brendshëm valutor, në një interval midis 220 milion dhe 300 milion eurosh, nga intervali i mëparshëm 160 milion-220 milion euro. Ky vendim erdhi si një formë për të tërhequr sasinë e madhe të valutës nga tregu dhe për të frenuar forcimin e mëtejshëm të lekut.

Nga ana tjetër, për 7 muajt e parë të vitit, tashmë Banka e Shqipërisë ka blerë rreth 170 milion euro (që u shtohen 18 milion euro të ankandit të parë të gushtit), por pavarësisht kësaj kursi i këmbimit të monedhës europiane me lekun ka shënuar rënie të paprecedentë këtë vit.

Pavarësisht sinjaleve të dhëna nga guvernatori Sejko dhe ankandit të radhës për blerje valute, euro pësoi sërish rënie të premten. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 104.04 lekë, në rënie me 0.66 lekë krahasuar me një ditë më parë. Gjatë pasdites së të premtes, rënia e kursit të euros vijoi dhe përtej vlerave të kursit zyrtar, të publikuar nga banka qendrore në mesditë.

Sipas ekspertëve, efektet e sinjaleve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor u ndjenë kryesisht pasditen e të mërkurës e të enjten kur kursi i këmbimit të euros me lekun shënoi rritje të ndjeshme. Por, ky efekt duket se nuk ka zgjatur shumë dhe të premten, euro ra përsëri.

Mbështetur në shifrat e reja të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në periudhën gusht-dhjetor 2023, në tregun e brendshëm mund të blihen deri në 130 milion euro të tjera.

Blerja e 130 milion eurove në pesë muaj do të rezultonte me një mesatare të blerjeve prej rreth 26 milion euro në muaj ose 18.6 milion euro për ankand. Këto shifra janë pak më të larta se mesatarja e blerjeve në 7 muajt e parë të vitit, prej 24.3 milion eurosh në muaj ose 17 milion euro për ankand.

Gjithsesi, rritja e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në terma mesatarë nuk duket e atyre përmasave sa të ketë ndikime shumë të mëdha në kursin e këmbimit valutor.

Pavarësisht se historikisht sezoni veror sjell presione të shtuara për rënien e kursit euro-lek, vitet e fundit këto presione janë shfaqur gjithnjë e më shpesh edhe në të tjera periudha të vitit.

Nëse këto tendenca do të vazhdojnë edhe gjatë muajve të ardhshëm, janë të pakta gjasat që blerjet e planifikuara nga Banka e Shqipërisë të mund të ndryshojnë ekuilibrat e kursit të këmbimit./Monitor

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49696 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE