Sulme ruse në Kherson, dronë ukrainas në Moskë!

vovalbania August 07, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulme ruse në Kherson, dronë ukrainas në Moskë!

Nuk ndalen sulmet ruse në Ukrainë, rreth një vit e gjysmë nga fillimi i luftës së paprovokuar. Raportohet se gjatë gjithë natës, forcat e Moskës bombarduan Khersonin në jug, ndërsa një grua 59-vjeçe humbi jetën nga një predhë artilerie që i goditi shtëpinë.

Disa vetë u plagosën, përfshirë dhe pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit që po shuanin zjarrin që pasoi shpërthimet.

Në Telegram, kreu i distriktit ushtarak rajonal, Alexander Prokudin shkroi:

Një natë e vështirë për Khersonin. Ushtria ruse vazhdoi të mbulonte me zjarr shtëpitë e banorëve të Khersonit, në pjesën qendrore të qytetit.

Policia rajonale njoftoi se rreth orës 01:00 të mëngjesit, trupat ruse goditën një objekt banimi. Gjysmë ore më vonë, rifilluan sulmet me granata. Në 03:00 po të mëngjesit, nisi një sulm i ri.

Në anën tjetër, Rusia pretendon se rrëzoi një dron ukrainas në rajonin Kaluga, në jugperëndim të Moskës. Nuk raportohen dëme në njerëz apo materiale. Njoftimi vjen në kohën kur janë rritur sulmet, që në shënjestër kanë kryeqytetin rus. Kaluga gjendet rreth 200 kilometra larg tij.

Në javët e fundit, sulmet me dronë ukrainas janë shtuar në territorin rus, shpesh duke shënjestruar Moskën apo gadishullin e aneksuar të Krimesë, të cilin Rusia ia shkëputi Ukrainës në mënyrë të paligjshme, në vitin 2014.

Një ditë më parë, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin tha se një dron që synonte të sulmonte kryeqytetin rus u rrëzua nga mbrojtja ajrore e qytetit.

Sipas autoriteteve, në javën e fundit, Moska ka qenë objektiv i disa sulmeve me dronë, përfshirë të një bombardimi që shkaktoi dëme në një ndërtesë me zyra në qendrën kryesore të bizneseve. Kjo zonë ishte goditur dy herë brenda disa ditësh.

Më herët, presidenti ukrainas Zelensky tha se “Rusia goditi me bombë një qendër të transfuzionit të gjakut në Kupiansk, në rajonin e Harkivit”.

Vetëm ky krim lufte tregon gjithçka për agresionin rus.

Rusia nuk ka komentuar rreth këtij sulmi. Në të kaluarën, Moska i ka mohuar akuzat se po sulmon civilët apo se ka kryer krime lufte.

Qyteti Kupiansk dhe zonat përreth ranë nën kontrollin e trupave ruse në ditët e para të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, në muajin shkurt të vitit të kaluar. Por, u çliruan gjatë një kundërofensive ukrainase në shtator.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE