Gjykatësja thërret palët për të diskutuar mbrojtjen e të dhënave në çështjen ndaj Trump-it!

vovalbania August 09, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gjykatësja thërret palët për të diskutuar mbrojtjen e të dhënave në çështjen ndaj Trump-it!

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjykatësja federale në çështjen  e ish-presidentit Donald Trump, i akuzuar për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, urdhëroi avokatët e tij e prokurorët federalë, që pas dy ditësh të paraqiten në gjykatë. Kjo në lidhje me një seancë dëgjimore për të përcaktuar si mund të përdoren apo të ndahen të dhënat e çështjes në fjalë.

Gjykatësja Tanya Chutkan vendosi që seanca të zhvillohej të premten e 11 gushtit në orën 10:00 të mëngjesit, menjëherë pas përplasjeve mes palës mbrojtëse e prokurorëve sa i përket datës së caktimit të seancës.

Avokatët e ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë kishin kërkuar shtyrjen e seancës deri në fillim të javës së ardhshme, ndërsa akuza deklaroi se ishte e gatshme gjatë gjithë javës.

Seanca e së premtes vjen pasi në fillimjavë, ekipi mbrojtës i Trump-it kundërshtoi një kërkesë nga prokurorët, që gjykatësja Chutkan të nxjerrë një urdhër për të siguruar që provat konfidenciale të mos bëhen publike nga  Trump, duke sugjeruar se ai mund ta përdorte informacionin për të frikësuar dëshmitarët.

Ish-presidenti pretendon se është i pafajshëm dhe akuzat i quan “të motivuara politikisht”. Avokatët e tij thanë se kufizimet do t’i cënonin të drejtën për lirinë e fjalës, e mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Donald Trump nuk pritet të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit të premten.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump vuri në shënjestër gjykatësen federale të caktuar në çështjen ku akuzohet për përpjekje për të ndryshuar rezultatin e presidencialeve të 2020-ës. Avokati i Trump-it argumentoi se veprimet që klienti i tij ndërmori pas humbjes, thjesht ishin “kërkesa”.

Përmes një postimi, me shkronja të mëdha, Trump shkruante:

NUK MUND TË KEM NJË GJYKIM TË DREJTË NGA GJYKATËSJA E CAKTUAR!

Ai nuk e fsheh se ka në plan që të kërkojë vetëpërjashtimin e gjykatëses Tanya Chutkan nga gjykimi i çështjes e që gjyqi të mos zhvillohet në Uashington.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49593 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE