Lideri armen i Nagorno-Karabakut kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve për heqjen e bllokadës!

vovalbania August 09, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Lideri armen i Nagorno-Karabakut kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve për heqjen e bllokadës!

Lideri armen etnik i Nagorno-Karabakut, Arayik Harutiunian, i bën një thirrje urgjente komunitetit ndërkombëtar, duke kërkuar veprim të menjëhershëm për të larguar bllokadën de facto të vendosur nga Azerbajxhani. Sipas tij, “me heqjen e bllokadës do të parandalohej gjenocidi ndaj popullit të Nagorno-Karabakut”.

Armenia e grupet ndërkombëtare të ndihmës kanë ngritur alarmin për situatën e rënduar humanitare në rajonin e shkëputur azer ku janë bllokuar autokolona me ushqime e ilaçe.

Me këtë adresim urgjent, po sinjalizoj se tani populli i Republikës së Artsakut (emërtimi që përdorin armenët etnikë për Nagorno-Karabakun) po i nënshtrohet gjenocidit e po përballet me kërcënim të vërtet të shkatërrimit dhe privimit të atdheut të tij.

Harutiunian theksoi se kriza humanitare është krijuar nga ajo që e përshkroi si bllokadë 240-ditore në Nagorno-Karabak, duke shtuar se “në një situatë si kjo, mosreagimi apo indiferenca nuk janë gjë më shumë se pranim i gjenocidit”.

Tensionet u rritën kur muajin e kaluar, Azerbajxhani pezulloi trafikun përmes një pikëkalimi për shkak të një hetimi, pasi tha se “disa lloje kontrabandash” janë zbuluar në makinat e Kryqit të Kuq që vinin nga Armenia.

Azerbajxhani ka bërë të ditur se për në Nagorno-Karabak do të lejojë vetëm furnizimet që shkojnë përmes rrugës nga Agdami, qytet i kontrolluar nga azerët, në lindje të këtij rajoni.

Autoritetet etnike armene në Nagorno-Karabak e refuzuan ofertën, duke nënvizuar se bllokada e Azerbajxhanit shkel armëpushimin e 2020-ës të ndërmjetësuar nga Moska. Sipas marrëveshjes, një sipërfaqe prej 5 kilometrash duhet të jetë nën kontrollin e paqeruajtësve rusë.

Armenia e Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra për Nagorno-Karabakun, enkllavë malore, kryesisht e populluar nga armenët e që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Lufta më e fundit zgjati gjashtë javë në fund të 2020-ës. 7 mijë ushtarë u vranë nga të dyja palët.  Si rezultat i saj, Azerbajxhani rifitoi kontrollin mbi një pjesë të Nagorno-Karabakut e disa zona përreth. Përplasja përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia. Moska vendosi rreth 2 mijë trupa, për të shërbyer si paqeruajtës.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49637 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE